Kryeprokurori special zbulon arsyen e largimit të Blakajt, jep detaje për aktakuzën për veteranët

Aktuale

Kryeprokurori special zbulon arsyen e largimit të Blakajt, jep detaje për aktakuzën për veteranët

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 13:31
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në konferencë për media

(E plotësuar) - Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, ka hedhur dyshime mbi cilësinë e aktakuzës së ish kolegut të tij, Elez Blakaj lidhur me veteranët që kanë fituar statusin kundërligjshëm, duke thënë se ka një numër lëshimesh, por do të plotësohet dhe dërgohet në gjykatë.

Kryeprokurori Millaku në një konferencë për media, tha sikur aktakuza në fjalë të dërgohej e tillë në gjykatë, nuk do të kalonte.

Sipas tij, aktakuzës i mungojnë evidencat se kush janë përfituesit nga lista e veteranëve të rrejshëm, numër i cili, sipas këtij dokumenti, arrin në 19 mijë e 60.

Millaku: Blakaj nuk ka propozuar që të ndërpriten pensionet për veteranët

“Si pjesëmarrës cekë 19 mijë e 60 veta, pa cekur se kush është përfitues. Kush është jurist ndoshta e di, se dispozitivat e aktakuzës duhet me qenë e qartë, kush janë përfituesit. Në rastin konkret është dashur kush janë këta tjerët. Më vonë lexova propozimin dhe te propozimi po shoh se askund nuk është propozuar që me ua ndalu pensionet këtyre personave. Nuk po shoh askund se i është bë kërkesë gjyqtarit të procedurës... Dispozitivi është i papranueshëm. Çdo gjyqtar që është mesatarisht profesional në seancë fillestare është dashur me e krye këtë plotësim, ose nëse jo ai, është dashur gjatë fazës së gjykimit”, tha ai.

Siç tha ai, qëllimi ka qenë që kjo aktakuzë të jetë e plotësuar. Teksa shtoi se është një prej lëndëve me prioritet të lartë.

Millaku tregoi se si është njoftuar për largimin e Blakajt, duke thënë se nuk e di se çfarë punon ky i fundit në Amerikë. Ai shtoi se i kishte ofruar ndihmë ish-kolegut, për ta bërë propozimin për pezullimin e pagave në emrin e tij, porse ky i fundit nuk e kishte bërë një gjë të tillë, edhe pse kishte deklaruar se ‘nuk frikësohej ta bënte një gjë të tillë vet’.

Millaku: I kam thënë bëje propozimin në emrin tim, ai nuk e bëri as në emrin e vet

“I kam thënë Elez, nëse frikësohesh me e bë propozimin për pezullimin e pagave, ose ke farë presioni apo kërcënimi, lirisht bëje kërkesën në emrin tim, unë do ta nënshkruaj, jo më tha, nuk frikësohem, do ta bëj vetë. Kjo është e vërteta lidhur me lëndën”, u shpreh Millaku.

Kryeprokurori sqaroi se për aktakuzën do të punohet në vazhdimësi që të përfundohet dhe në momentin që do të dihen të gjitha detajet ato do të bëhen të ditura edhe për publikun.

Millaku: Lënda është në hetime

“Lënda është në hetime, që po i jepni konotacion tjetër pastaj, është në hetime se ne jemi marrë vesh për të bërë pezullimin e gjyqtarit të procedurës paraprake dhe kjo fazë është e hetimeve”, u shpreh ai.

Tash kur Blakaj është larguar, Millaku bëri të ditur se kjo lëndë do t’i jepet një prokurori tjetër për t’u hetuar, por nuk la të nënkuptohet se kush mund ta trashëgojë atë. Ndërsa i pyetur nëse do ta merrte vet si lëndë, u shpreh se ka angazhime të tjera.

Blakaj: Kjo lëndë do t’i jepet dikujt tjetër

“Kjo lëndë do t’i jepet një prokurori tjetër, do të ndërmerren këto veprime që iu thash dhe do të dërgohet aktakuza. Unë kam punë të tjera se me gjithë qejf e kisha marrë”, potencoi ai.

Krejt në fund, ai theksoi se nuk ka pasur kurrfarë presioni politik për lëndën në fjalë. Ndërsa shtoi se mashtrimi me listat e veteranëve është vepra penale që i ka shkaktuar dëme në vlerën më të madhe buxhetit të Kosovës që nga pas lufta.

Kryeprokurori special zbulon arsyen e largimit të Blakajt, jep detaje për aktakuzën për veteranët

Sipas Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millakut, arsyeja se pse Prokurori Elez Blakaj dha dorëheqje është pasi iu ofrua një pozitë pune në Amerikë. Ndërsa, sa i përket aktakuzës për listat e fryra të veteranëve, Millaku ka thënë se Blakaj ia ka sjellë aktakuzën disa ditë para datës 11 korrik të 2018-ës. Deklaron se në aktakuzë përmendet vetëm numri i veteranëve mashtrues, por jo edhe emrat e tyre.

Dorëheqja e Prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili ishte duke i hetuar listat e veteranëve ngjalli debat të madh në vend. Për Prokurorin Blakaj u tha se dha dorëheqje pasi që ishte kërcenuar për rastet që po hetonte, një prej të cilave ishte edhe ai me listat e fryra të veteranëve.

Por, një gjë të tillë e mohon Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku.

Ai në një konferencë të thirrur për media ka thënë se arsyeja se pse Blakaj dha dorëheqje ishte pasi atij iu ofrua një pozitë pune në Amerikë.

Ndërsa, sa i përket aktakuzës për listat e fryra të veteranëve, Millaku ka thënë se Blakaj ia ka sjellë aktakuzën disa ditë para datës 11 korrik të 2018-ës, mirëpo deklaron se ka qenë e panënshkruar.

Millaku ka deklaruar se në aktakuzë përmendet vetëm numri i veteranëve mashtrues, por jo edhe emrat e tyre.

“Në aktakuzë përmendet vetëm numri i veteranëve mashtrues, por pa u cekur se kush janë ata”, ka thënë Millaku.

***

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, po mban një konferencë për media, ku do të flas lidhur me hetimet që po bëhen për listat e veteranëve.

Konferenca do të mbahet në objektin e Prokurorise Speciale të Republikës së Kosovës.     

Hetimet lidhur me listat e veteranëve, kohëve të fundit kanë ngritur debat, pasi kryeprokurori Lumezi tha se janë rreth 19 mijë veteranë që fituan statusin kundërligjshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat