Festohet Kurban Bajrami

Aktuale

Festohet Kurban Bajrami

Më: 21 gusht 2018 Në ora: 08:47
Xhamia e Madhe, Prishtinë

Besimtarët mysliman në Kosovë po festojnë festën e Kurban Bajramit.

Ceremonia kryesore e faljes së Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku morën pjesë mijëra qytetarë.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se islami përçon mesazhe paqeje ndërkohë që foli për rëndësinë e festës së Kurban Bajramit.

“Kurban Bajrami nuk është thjeshtë festë, nëse shikohet nga perspektiva e vlerave, mësimeve dhe udhëzimeve, Kurban Bajrami është shkollë në vete. Vlerat dhe virtytet qe kultivon kjo festë, kalitin dhe farkëtojnë një karakter të fortë për besimtarin të pa ndihmuar nga kode, doke e zakone e veprime primitive. Kurban Bajrami është sinonim i shkëputjes dhe ndarjes fizike e shpirtërore të besimtarit me të keqen dhe të mirën”, deklaroi Tërnava.

Pas përfundimit të ceremonisë së faljes qytetarët uruan njëri-tjetrin. Ata thonë se Kurban Bajrami ka një rëndësi të veçantë në kalendarin e festave islame.

Për besimtarët, Kurban Bajrami i bënë njerëzit bashkë dhe përçon mesazhe paqeje e mirëkuptimi.

Image

Ahmet Aliaj kishte ardhur për të falur Bajramin, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Ai thotë se kjo festë ka një rëndësi të veçantë për te dhe besimtarët myslimanë.

“Rëndësia e Bajramit është për besimtarët myslimanë se na bashkon të gjithëve, me i ndihmuar njëri-tjetrit. Me pritë çdo të mirë, me pas një drekë të mirë, me i ndihmu njëri-tjetrit. Me menduar për mirë jo për keq. Kjo është porosia e Bajramit”, tha Ahemt Aliaj.

Pas përfundimit të ceremonisë në xhami, Ibrahim Kuçi thotë se është shumë i lumtur për këtë festë. Ai madje është ndarë i kënaqur me ligjëratat që dëgjoi në xhami.

Kjo festë e gëzuar e Kurban Bajramit është e mirëseardhur, kështu që i gjithë populli duhet të festojë atë festën që e ka. Kështu që ka qenë shumë më rëndësi falja e Kurban Bajramit në xhaminë kryesore të Kosovës. Na kanë mbajt në ligjëratë, imamët e përgatitur dhe jemi mirënjohës për organizimin që e kanë bërë Bashkësia Islame e Kosovës”, tha Ibrahim Kuçi.

Këtë ditë është e rëndësishme që të prehet kurbani i cili sipas fesë islame duhet të ndahet në tri pjesë, një pjesë për vete, një pjesë për të afërmit dhe pjesa tjetër duhet të shpërndahet për të varfrit.

Këtë gjë thotë se po shkon ta bëjë menjëherë pas faljes së Bajramit, Besim Vllasa.

“Për bajram, së pari e falim Kurban Bajramin. E therim kurbanin, tash drejt po shkoj atje kësmet dhe pastaj do të rrimë me familje. Bashkim familjar”, tha Vllasa për Radion Evropa e Lirë.

Festën e Kurban Bajramit e festojnë myslimanët në mbarë botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat