Përkujtohet Bajram Rexhepi në një vjetorin e vdekjes

Aktuale

Përkujtohet Bajram Rexhepi në një vjetorin e vdekjes

Më: 22 gusht 2018 Në ora: 09:26
Bajram Rexhepi

Akademi përkujtimore do të mbahet sot në kujtim të një vjetorit të vdekjes së ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.

Në shtëpinë e kulturës “Rexhep Mitrovica” , në qytetin e Mitrovicës, sot nga ora 12:00 do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kush ishte Bajram Rexhepi?

Bajram Rexhepi lindi në Mitrovicë më 3 qershor 1954 ndërsa vdiq sot më 21 gusht 2017, pas një sëmundjeje të rëndë. Studimet pas-universitare i kreu në Zagreb në vitin 1985. Punoi si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990.

Rexhepi e kaloi shumicën e karrierës së tij si kirurg dhe fitoi famën si kirurgu më i mirë në rajonin e Mitrovicës. Gjatë Luftës së Kosovës më 1999, Rexhepi u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kaloi tre muaj duke shërbyer si mjek në terren. Ai shërbeu si kryetar bashkiak i Mitrovicës jugore, duke punuar me paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s për të zvogëluar trazirat civile. Ndërsa serbët dhe shqiptarët kishin prishur të gjithë dialogun, Rexhepi ofroi të heqë dorë nga pozita e tij në favor të një administratori të OKB-së, por serbët e refuzuan këtë propozim. Njëherit ishte edhe kreu i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për qytetin e Mitrovicës.

Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si Kryeministrin e parë të Kosovës së pasluftës. Më 1 prill 2010 Rexhepi u emërua Ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, duke zëvendësuar Zenun Pajazitin. Më 22 shkurt 2011, Kuvendi konfirmoi Rexhepin në funksionin e tij në kabinetin e ri të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi. Viteve të fundit ishte tërhequr krejtësisht nga politika duke iu përkushtuar profesionit të tij prej kirurgu. Në prill të këtij viti, ish- kryeministri u shtrua në QKUK për shkak të një sulmi shëndetësor në organet vitale, ndërsa më pas është dërguar në Turqi për shërim jashtë vendit. Pas një beteje prej pesë muajsh me sëmundjen, Rexhepi ndërroi jetë më 21 gusht 2017 duke lënë pas vetes bashkëshorten dhe vajzën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat