Kosova e bekuar që pati mik senatorin McCain

Aktuale

Kosova e bekuar që pati mik senatorin McCain

Më: 26 gusht 2018 Në ora: 11:43
John McCain

Liderët nga Kosova dhe Shqipëria, pas vdekjes së senatorit amerikan, John McCain ,kanë shkruar se shqiptarët humbën një mik të madh që luftoi deri në fund për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

“Vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës kishim nderin të presim senatorin John McCain, mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë sonë. I ruaj të paharrueshme mbresat e veçanta nga takimi me të. Një mendje briliante që me pak fraza zbërthente edhe problemet më komplekse të kohës sonë. Kosova ka qenë e bekuar duke pasur miq të tillë si senatorin McCain. Vdekja e tij na ka pikëlluar të gjithëve. Prehu në paqe miku ynë i madh e i paharruar”, ka shkruar Veseli në facebbook.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate njëheresh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Fatmir Limajt, thotë ta këtë marrë me keqardhje lajmin për vdekjen siç shkruan ai të mikut të madh të shqiptarëve, senatorit republikan John McCain. Qytetarët e Kosovës, sipas Limajt nuk do ta harrojnë asnjëhere kontributin e senatorit McCain i cili i dha mbështetje Kosovës në momentet më të rëndësishme për vendin tonë. “McCan me angazhimin e tij dhe me qëndrimet e forta prej një burrështetasi, nga një hero i luftës u bë shndërrua në një ikonë politike në SHBA. U prehsh në paqe miku i madh i shqiptarëve”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar se ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është humbje e madhe për Kosovën.

“Ai ishte një mik i madh i vendit dhe popullit tonë, mungesën e të cilit do ta ndjejmë shumë, veçanërisht në kohërat e vështira që po na paralajmërohen. John McCain do të përkujtohet përherë nga Kosova dhe qytetarët e saj. Zoti e bekoftë shpirtin e pamposhtshëm të Senatorit John McCain”, ka shkruar ai në facebook.

Lajm të hidhur për të gjithë shqiptarët e ka cilësuar Presidenti i Shqipërisë,Ilir Meta ndarjen nga jeta të senatorit amerikan John McCain.

Duke e vlerësuar për arritjet e tij në betejën për liri dhe të drejtat e njeriut, Meta e vlerëson senatorin John McCain si një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj.

“Ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është një lajm i hidhur për mua dhe për të gjithë shqiptarët. Sot u largua nga jeta një hero lufte dhe një patriot i madh, njeriu që i shërbeu kombit të tij me vetëmohim, heroizëm e ndershmëri të pashoqe. Ai i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan. Senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj”, shkruan Meta në një status në Facebook.

Më tej Meta kujton faktin se senatori John McCain ishte një ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit në NATO.

Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të antarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.

“Angazhimi i përkushtuar i njerëzve të tillë si McCain për cështjen e të drejtave dhe të lirive të popujve të shtypur në botë e kanë bërë SHBA-në një vend lider të demokracisë dhe rriti simpatinë e saj në gjithë botën. Sot shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm. U prehtë në paqe shpirti i tij!”, shkruan Meta.

Ministrja e Mbrojtjes në Shqipëri, Olta Xhaçka ka shprehur ngushëllime familjes dhe respekt të pafund për njeriun që mbetet në sytë e amerikanëve dhe gjithë botes, hero lufte, patriot dhe luftëtar i së drejtës.

“Shqiptarët humbën një mik të madh që luftoi deri në fund për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës! U prehsh në paqe Senator McCain. Zemrat dhe lutjet tona janë me Ju”, ka shkruar ajo në facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat