Protestuesit në Gjakovë: Presidenti Thaçi po pranon të shkelet gjaku ynë

Aktuale

Protestuesit në Gjakovë: Presidenti Thaçi po pranon të shkelet gjaku ynë

Më: 28 gusht 2018 Në ora: 10:20
Protesta

(E plotèsuar) -Qytetarët në Gjakovë kanë protestuar sot duke kundërshtuar vizitën e serbëve si pelegrinë pranë Kishës Ortodokse Serbe.

“S’ka qetësi pa drejtësi”, “Gjakova nuk harron” dhe “Hashim Thaçi kali i Trojës në Kosovë” ishin vetëm disa nga mbishkrimet që mbanin në duar protestuesit sot, e që u vendosën te Kisha Ortodokse Serbe në Gjakovë.

Serbët nuk e realizuan vizitën e tyre, e protestuesit që u mblodhën në orën tetë në mëngjes për të bllokuar hyrjen e tyre në Gjakovë, deklaruan se po kërkojnë që “kriminelët serb mos të lejohen të hyjnë në Gjakovë”.

Organizimi që zgjati afro pesë orë kaloi i qetë, por përfundoi me arrestimin e pesë personave që ishin jashtë turmës protestuese, siç njoftoi Policia.

“Nënat gjakovare” shfaqën kundërshtimin e tyre për vizitën e pelegrinëve serbë duke thënë se ata që po kërkojnë të hyjnë në Gjakovë janë kriminelë dhe përgjegjës për vrasjet, dhe zhdukjet e shumta të njerëzve në Gjakovë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ngacmimit të plagës nuk i shpëtoi lehtë sot ajo që përfaqëson nënat gjakovare, Nysrete Kumnova.

Bashkë me një tjetër nënë, ato kërkuan sot ndihmën mjekësore.

Nysrete Kumnova që drejton shoqatën “Thirrjet e Nënave” e ka konsideruar provokim paralajmërimin për vizitë të serbëve.

Kumnova: Paralajmërimi për vizitë është provokim i kriminelëve

“Ky paralajmërim është provokim i radhës i kriminelëve, serbëve të Gjakovës, të cilët kanë bërë krime shtëpi për shtëpi. Që 20 vite ende nuk di për fatin e Albionit, në shtëpi kanë hy me i marrë, serbët që i kemi njoftuar, për ata kufiri përgjithmonë është i mbyllur në qytetin e Gjakovës, ata duhet të qëndrojnë në burg përjetësisht”, tha ajo.

Mimoza Shala,  përfaqësuese e protestuesve tha se politikanët kosovarë po shkelin mbi dhimbjen e nënave gjakovare.

Shala: Qëllimi ynë është ndalja e kriminelëve serb

 “Në Gjakovë janë bërë mjaft krime dhe ka trupa të pagjetur dhe mendojmë se politikanët tanë, pushtetarët po bëjnë shkelje në dhimbjen e nënave të Gjakovës që në luftën e fundit e kanë pësuar si mos më keq...Qëllimi ynë është ndalja, motoja jonë është: S’ka pajtim pa drejtësi, Gjakova nuk harron. Gjithmonë janë mbajt protesta paqësore me thirrje të ndryshme, me emra të kriminelëve, pavarësisht që shumë herë kemi has në dhunë të policëve, është bllokuar rruga çdo herë, edhe sot nuk shpëtuam pa u arrestuar 4 protestues”, tha ajo.

Shala po ashtu tha se presidenti Hashim Thaçi, duke lejuar vizitën e pelegrinëve serbë në Gjakovë, po shkel mbi gjakun e qytetarëve.

Shala: Presidenti pranon të shkelet gjaku ynë

“Presidenti ynë, tashmë po e dimë që bisedimet me Vuqicin nuk po kanë të ndalur, dhe ai pranon që të shkelet gjaku ynë, të drejtat tona minimale, dhe të realizohen politikat fashiste serbe”, tha ajo.

Suphije Tafashiku, që ka pesë anëtarë të vrarë e të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, kishte dalë sot në rrugët e Gjakovës për të protestuar. Ajo konsideron që serbët nuk duhet lejuar të hyjnë në Gjakovë, meqë të njëjtit ia vranë dhe zhdukën familjen, dhe jo vetëm asaj, por shumë nënave tjera gjakovare.

Tafashiku: Do t’i kundërshtojmë vizitat e tilla çdo herë

“Ne kemi kundërshtuar dhe i rezistojmë ardhjeve të tilla ,sepse ata janë kriminelë, 90 për qind e popullatës në Gjakovë kemi qenë shqiptarë, 2v për qind serb, por ata i kanë bërë krimet më të mëdha”, tha ajo.

Tafashiku rrëfen për KosovaPress dhimbjen që e përjeton sa herë që përmenden serbët dhe vizitat e tilla në Gjakovë.

Tafashiku: Ata vizitorë janë kriminelë

“Ne e kemi kundërshtuar dhe e kundërshtojmë deri sa të jemi, nëse nuk jemi gjallë, kemi me u lënë pasardhësve tanë që këtu mos me shkel këmbë  serbi, nuk ngopemi me ju thënë serb, ata janë kriminelë, ata i kanë duar e përgjakura me djemtë tanë, në këtë qytet ka rrjedh gjaku sikur lumi ,ka të vrarë, femra të dhunuara”, tha ajo.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se ndër të arrestuarit janë pesë persona, por nuk ka bërë të njohur identitetin e tyre. Nuk dihet nëse ata janë pjesë e protestuesve meqë arrestimi i tyre ka ndodhur jashtë turmës së protestuesve.

Sipas komandantit të Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj, arrestimi ndodhi për shkak të pengimit të kryerjes së punës së zyrtarëve policor në rrugët anësore.

Gjokaj: Protesta e qetë, pesë persona u arrestuan për pengim të zyrtarëve policor

“Çdo gjë ka shkuar qetë dhe stabile, kemi pasur pesë të arrestuar jashtë turmës protestuese për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe dëmtim të pronës në rrugët anësore të qytetit. Çdo gjë ka përfunduar dhe protestuesit janë shpërndarë të qetë”, tha ai.

Çdo herë, në janar dhe në gusht, serbët në mënyrë të organizuar kërkojnë të vizitojnë qytetin e Gjakovës dhe objektet e tyre fetare.  Mirëpo vizita e sotme nuk u realizua. Drejtoresha e Fondit Humanitar në Serbi, Natasha Kandiq, kishte kërkuar që vizita e tyre të mos pengohet, për çka kishte marrë premtimin e presidentit Hashim Thaçi që mbrëmë deklaroi se vizita e pelegrinëve serbë nuk do të pengohet dhe se ai me institucionet e Kosovës do të sigurojë lëvizjen e lirë të serbëve.

Sot ndërkaq Thaçi ka shkruar në një postim në Facebook, pas reagimeve të nënave gjakovare, se ndanë dhimbjen për humbjen e tyre  dhe i siguron që kriminelët dhe vrasësit që kanë kryer krime, kurrë nuk do të mund të kthehen në Kosovë.

“Kudo që janë, ata nuk do të jenë të qetë, derisa të japin llogari përpara drejtësisë. Ne nuk do të harrojmë kurrë çfarë kemi përjetuar. Me respektin më të madh ju thërras për tolerancë dhe mirëkuptim. Por, edhe në rast se ju veproni ndryshe, unë përsëri ju kuptoj dhe respektoj njësoj. Një nënë është nënë kudo në botë, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare. Ajo ka nevojë të derdhë lotë dhe të vendosë lule pranë varrit të djalit, vajzës, burrit, motrës, mbesës apo nipit. Të njëjtën të drejtë e ka edhe një baba, një vëlla apo një motër. Secili ka të drejtë ta shuajë mallin dhe të shprehë dhembjen për më të dashurit e tij”, shkruan Thaçi.

Pelegrinët serbë anulojnë vizitën në Gjakovë, përfundoi protesta me katër të arrestuar

 Protesta e nënave gjakovare të mbështetur nga qytetarët e Gjakovës, për ndalimin e vizitës së pelegrinëve serbë në Kishën ortodokse në Gjakovë, ka përfunduar.

Katër protestues thuhet të jenë arrestuar sipas organizatorëve por nuk dihet ende për shkaqet dhe emrat e të arrestuarve,.

Ekipi i kp raporton se dy nëna kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të emocioneve gjatë protestës, ndër to edhe Nysrete Kumanova.

Prote4stuesit kanë njoftuar epo ndërpresin  protestën ngase pelegrinët serbë kanë deklaruar se do të anulojnë vizitën në Gjakovë.

Protestuesit marshuan në qytet dhe vendosën disa pankarta pranë Kishës Ortodokse ku shkruan “Gjakova nuk harron” e shumë mesazhe tjera.

Nëna gjakovare po kërkojnë drejtësi për krimet e kryera në Gjakovë gjatë luftës derisa kanë thënë se “kriminelët serbë të mos lejohen të hynë në Gjakovë të veshur në petkun e pelegrinëve”.

Protesta kishte filluar sot në ora 08:00.

Image

Pelegrinët serbë nuk do të vijnë sot në Gjakovë. Lajmin e ka konfirmuar komandanti i stacionit policor në Gjakovë, Kristë Gjokaj.

“Ju informoj se pelegrinët nuk do vijnë sot në Gjakovë”, tha Gjokaj.

Ende nuk ka ndonjë informacion të saktë nëse pelegrinët serbë do të kërkojnë përsëri ta vizitojnë Gjakovën. Sidoqoftë kundër vizitës së tyre, sot në Gjakovë kanë protestuar qytetarët.

Gjatë kësaj proteste pesë persona janë shoqëruar në Polici që nga orët e mëngjesit, si kundërshtim për vizitën e planifikuar të pelegrinëve serbë në një kishë të qytetit.

Pesë persona shoqërohen në Polici në protestën në Gjakovë?

Pesë persona janë shoqëruar në Polici gjatë një proteste e cila është duke u mbajtur në Gjakovë që nga orët e mëngjesit, si kudnërshtim për një vizitë të planifikuar të pelegrinëve serbë në një kishë të qytetit.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj, tha për Kallxo se protesta deri më tani është duke vijuar e qetë, ndërsa pesë personat e ndaluar, sipas saj, kanë penguar zyrtarët policorë në kryerjen e detyrave të tyre.

“Protesta po vazhdon të jetë e qetë. Deri më tani janë shoqëruar për në stacion policor pesë persona të cilët në rrugën që shpien te kisha kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës ndërsa njëri prej tyre ka dëmtuar automjetin e kompanisë bartëse”, tha zëdhënësja Podrimaj.

Më herët, anëtarja e komisionit për të pagjeturit, Nesrete Kumanova, ishte alivanosur gjatë një fjalimi që po e mbante para pjesëmarrësve në protestë. Ajo është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Gjakovës.

Gjatë ditës së djeshme, drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, kishte kërkuar nga Presidenti Hashim Thaçi, ta bënte të mundur këtë vizitë të serbëve në Gjakovë, ndërsa Presidenti ishte përgjigjur se “është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”.

Protesta kundër pelegrinëve serbë në Gjakovë, Policia arreston një protestues

Qytetarët në Gjakovë janë duke protestuar kundër ardhjes së pelegrinëve serbë për të vizituar kishën serbe në këtë qytet.

Policia para pak minutash ka arrestuar një qytetar i cili tentoi tu afrohej pelegrinëve serbë, gjë të cilën policia nuk e lejoi.

Të arrestuarin, policia fillimisht e ka futur në njërën prej veturave pastaj e ka transportuar në veturën tjetër të policisë.

Qytetarët po protestojnë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në qytetin e Gjakovës, duke përdorur parullat "S'ka rëndësi pa drejtësi" dhe "Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet".

Image

Pelegrinët serbë ende nuk kanë mbërritur në Gjakovë, nuk dihet nëse do të vijnë

Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës ka konfirmuar për Kp se pelegrinët serbë që kishin paralajmëruar vizitë në Kishën ortodokse.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Krist Gjokaj, tha se nuk kanë asnjë konfirmim për ardhjen e pegrinëve serbë.

“Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, deri më tani nuk kanë mbërritur”, ka thënë ai s duke treguar tutje se po vazhdo protesta e qytetarëve të Gjakovës në mënyrë të qetë.

Qytetarët gjakovarë kanë bllokuar hyrjet me vetura për në kishë, në mënyrë që të mos lejojnë pelegrinët serbë të realizojnë vizitën. Protesta e tyre ka filluar që nga ora 08:00. 

Image

Kumnova alivanoset gjatë fjalimit në protestë

Gjatë fjalimit në protestën kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në Gjakovë, është alivanosur Nesrete Kumnova, anëtare e Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit.

Qytetarët në Gjakovë nuk duan të lejojnë hyrjen e pelegrinëve serbë në Gjakovë. Në protestën e organizuar sot po merr pjesë edhe shoqata “Thirrjet e Nënave”.

Në protestë, Kumnova ka thënë se “nuk ka dëshmi më të gjallë për krimet e Serbisë në Kosovë se vuajtjet e nënave për fëmijët e tyre”.

Nis protesta ndaj pelegrinëve serbë në Gjakovë

Ka nisur protesta në Gjakovë kundër ardhjes së paralajmëruar të pelegrinëve serbë në këtë qytet.

Kjo protestë u thirr nga qytetarët e Gjakovës “për të kundërshtuar ardhjen e serbëve”.

Qytetarët po protestojnë me parullat “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”.

Edhe shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në qytetin e Gjakovës, shoqatë e cila, përmes një letre të hapur dërguar presidentit Thaçi, kërkoi nga ky i fundit që të ndalojë këtë vizitë.

Një ditë më parë, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e ka ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës që sivjet ta vizitojnë kishën.

“Me këtë rast ju lus që personalisht të angazhohen në mënyrë që serbët nga Gjakova më 28 gusht 2018 të mundë ta vizitojnë kishën dhe shtëpitë e veta dhe të mos i nënshtrohen poshtërimit sikur në vitin e shkuar”, ka thënë Kandiqi në letrën që u botua dje.

E presidenti i vendit tha se “sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat