Haradinaj: Marrëveshja me Serbinë nuk guxon të përfshijë prishjen e sovranitetit

Aktuale

Haradinaj: Marrëveshja me Serbinë nuk guxon të përfshijë prishjen e sovranitetit

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 15:52
Ramush Haradinaj dhe Greg Delawie

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, do të përkrahë një marrëveshje me Serbinë, veçse e njëjta nuk duhet të përfshijë ndryshim të kufijve të Kosovës.

Qëndrimin e tij në lidhje me këtë, kryeministri i Kosovës e ka përsëritur sot në një konferencë për media ku tha se ai dhe partia që ai drejton, do mirëpresin një marrëveshje Kosovë-Serbi e cila do të rezultonte me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Por njëkohësisht tha se i japin përkrahje ruajtjes së sovranitetit të vendit.

Haradinaj: Marrëveshja me Serbinë nuk guxon të përfshijë prishjen e sovranitetit

“Shpresoj tani të kemi një qartësi dhe të gjithë bashkë të biem dakord, e para; që duhet të ndodh dialogu dhe të arrihet një marrëveshje ligjore obligative, e njohjes reciproke Kosovë-Serbi, dhe e dyta; që kjo marrëveshje nuk guxon me përfshi prishjen e sovranitetit, të integritetit territorial apo lëvizjen e kufijve të Kosovës. Besoj që këto dy tema pajtojmë të gjithë në Kosovë, dhe si Aleancë, por edhe unë si kryetar qeverie do t’i jap përkrahje ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial të kufijve të Kosovës, mirëpo edhe e mirëpres dhe e përkrahi arritjen e një marrëveshje që do të rezultonte me njohjen Kosovë-Serbi”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me protestën që do të mbahet sonte me kërkesën për: shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, vetting për gjyqësorin dhe pastrimin e listave të veteranëve, pas skandalit me listat e fryra, kryeministri vetëm tha se e respekton të drejtën e çdo kujt për protestë.

Haradinaj: E respektojmë të drejtën për protestë

“Nuk ka diçka të veçante në këtë temë, kjo nuk është e re, ne vazhdojmë diskutimet, Amerika ka një qëndrim të cilin na ka komunikuar me kohë në pikëpamjet e veta për procesin. Amerika e mirëpret një marrëveshje Kosovë-Serbi obligative ligjore e cila do të siguronte njohjen e Kosovës nga Serbia dhe ecjen përpara. Për protestë nuk po e di më cila është cila, sidoqoftë ne respektojmë të drejtën për protestë, e drejtë legjitime  demokratike”, tha ai.

Para konferencës për media, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie.

Ambasadorit amerikan në Kosovë, kryeministri i ndau një mirënjohje në shenjë falënderimi për punën e tij në Republikën e Kosovës, meqë Delawie është në përfundim të mandatit të tij.

Takimi me Delawie ishte i mbyllur për media, dhe u quajt i zakonshëm nga Haradinaj.

Haradinaj u pyet pas takimit nga gazetarët edhe në lidhje me paralajmërimet e opozitës për inicimin e  një rezolute që do ta ndalonte presidentin Hashim Thaçi dhe cilindo, të diskutojë për kufijtë e Kosovës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se tash e sa kohë në fakt ka kërkuar nga deputetët të ndërmarrin veprime të tilla.

Haradinaj: Ka kohë që kam ftuar opozitën të marrë përgjegjësi

“Sa i përket rezolutës dhe Kuvendit më vjen keq sepse Kuvendi po ecë pas proceseve, unë ka shumë kohë që ua kam dhënë këtë mundësi Kuvendit, pikërisht këtë që po duan tash me rezolutë, ka mujt të tërë që kam shkuar në Kuvend i kam lutë merrni përgjegjësinë, merrni qëndrim. Ka pas një konfuzion brenda opozitës në radhë të parë”, ka thënë kryeministri.

Partitë opozitare në Kosovë kanë deklaruar se në fillim të shtatorit do të mbajnë seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të krijohet një rezolutë. E njëjta do të kërkojë që askush mos të ketë të drejtë të negociojë kufijtë e shtetit të Kosovës.

Sipas opozitës, nëse rezoluta nuk merret parasysh nga presidenti Thaçi, dhe me datën 7 shtator në Bruksel ai diskuton çështjen e kufijve, atëherë do të mobilizohen me protesta.

Presidenti i Kosovës kohët e fundit ka shfaqur idenë e korrigjimit të kufijve të Kosovës, por për të cilën nuk ka marrë përkrahje nga askush prej spektrit politik në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat