Sa veteranë lufte ka Kosova? Pajtim i gjerë se listat janë fryrë

Aktuale

Sa veteranë lufte ka Kosova? Pajtim i gjerë se listat janë fryrë

Më: 29 gusht 2018 Në ora: 23:48
Ilustrim

Faik Zogaj nga fshati Mleqan i komunës së Malishevës në Kosovën qendrore, pohon se listat e veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që gëzojnë pension nga shteti janë të fryra. Ai ngulë këmbë se kjo ka ndodhur madje edhe në fshatin e tij.

“Kemi pasur 40 luftëtarë të UÇK-së, kemi pasur edhe dy dëshmorë për të cilët e kemi edhe pllakën dhe tash qe dy vite kanë filluar që numri prej 40 veteranëve, ka shkuar njëherë në 80 dhe pas saj në 120 veteranë. Është e papranueshme për ne që kemi luftuar, kemi shkuar në Shqipëri në këmbë, jemi kthyer dhe sot t’i kemi bashkëluftëtar ata të cilët nuk e kanë dhënë asnjë gotë me ujë për këtë vend, për neve është e papranueshme dhe e tillë do të jetë çdoherë sepse nuk jemi të barabartë”,tha zoti Zogaj.

Çështja e listave të veteranëve të luftës u ringrit pasi që ditë më parë prokurori Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, që po e trajtonte këtë çështje, dha dorëheqje duke akuzuar kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa ka vënë në pah se është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve.

Kryeprokurori i shtetit që është përballur edhe protesta të organizatave të shoqërisë civile që kërkojnë dorëheqjen tij, ka caktuar prokuror të ri për këtë çështje ndërsa ka mohuar që zoti Blakaj të jetë kërcënuar.

“Kryeprokurori i Shtetit zyrtarisht asnjëherë nuk është informuar me shkrim nga prokurori Blakaj se ka pasur ndonjë kërcënim në lidhje me punën e tij. Zyrtarisht, deri më sot ne kemi pranuar vetëm dorëheqjen e tij, të cilën e ka drejtuar te Kryeprokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, z. Reshat Millaku”,tha ai.

Por, Faik Zogaj beson që kërcënimet çuan në dorëheqjen e ish prokurorit.

“Kur e them këtë që atë prokuror (Elez Blakaj) e kanë kërcënuar, unë kam dëshmi, sikur në vitin 2017 që jam kërcënuar tri herë, njëherë më kanë ardhë edhe me maska dhe njëherë përmes mesazheve të telefonit”,tha zoti Zogaj.

Por, a janë fryrë listat e veteranëve dhe sa është numri i tyre?

Me saktësi nuk e thotë njeri ndërsa ish prokurori Blakaj në një letër të hapur tha se mund të ishin 19 mijë përfitues të rremë.

Ish drejtues e pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare japin shifra të ndryshme për numrin e veteranëve. Ish-komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sylejman Selimi, në një intervistë nga burgu për Gazetën Express tha se pas lufte janë identifikuar rreth 13 mijë ushtarë.

Shkumbin Demaliaj, ish anëtar i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve thotë se numri prej 37 mijë veteranësh që gëzojnë pensionin nuk është i lartë, por listat nëse duken të fryra, problemi është tek ligji për veteranët.

“Unë personalisht jam i gatshëm të kontribuojë në shfryrjen e listave nëse këta janë në të vërtetë për të ndryshuar ligjin. Për shkak se te përkufizimet ky ligj, është pika 1.2 te përkufizimet në këtë ligj, se luftën e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e bën luftë vullnetare dhe përderisa është luftë vullnetare, as komisioni as askush tjetër nuk ka pas të drejtë t’ia mohoj askujt pjesëmarrjen në luftë”,tha zoti Demaliaj.

Hysni Gucati, kryetar i organizatës së veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pohon se listat janë të fryra dhe koha është që të ndahet shapi nga sheqeri.

“Problemi qëndron gjithmonë te politika dhe hierarkia ushtarake ndërsa kryesisht problemi është te politika. Nuk dua të bëhem naiv dhe shumë i sinqertë që të fshehi faktin, me siguri kjo për politikën ka qenë për arsye votash, ishte koha e zgjedhjeve dhe ka qenë arsyeja e votave, që nuk ishte dashur të bëhej”,tha zoti Gucati.

Zoti Demaliaj thotë se ligji ka bërë që të përfshihen edhe shumë kategori që kanë ndihmuar luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Askush nuk po e përmend që brenda këtyre listave janë të gjithë të internuarit e luftës, askush nuk po përmend këtu që ka përfaqësues, ushtarakë e pjesëmarrës nga Shqipëria, askush nuk po përmend këtu se janë pjesa e fondit “Vendlindja Thërret” që ka qenë logjistika kryesore e UÇK-së, askush nuk po thotë që këtu është ish ministria e rendit e Republikës së Kosovës të para luftës dhe krejt ky mekanizëm përpos brigadave dhe mekanizmit tjetër që është shtabi i përgjithshëm, pjesë të logjistikës dhe mekanizma tjerë”, tha zoti Demaliaj.

Zoti Zogaj është i bindur se ka pasur shumë keqpërdorime madje edhe blerje dëshmish.

“Disa prej tyre që kemi fakte, kanë dhënë edhe nga 3 mijë euro vetëm që të bëhen veteran”,tha zoti Zogaj.

Diskutimet kanë nxitur shumë debate që përfshijnë edhe pohimet se numri i luftëtarëve mund të ketë qenë edhe më i lartë sesa ai që është regjistruar në listën e veteranëve.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi thotë se nuk kishte aq shumë luftëtarë sa pohohet dhe sa janë përfshirë në lista.

“Në asnjë vijë të frontit nuk kemi pasur kaq ushtarë. Unë në betejën kur jam plagosur kemi qenë 148 luftëtarë, ka qenë një betejë shumë e rëndë dhe kemi qenë një numër shumë i vogël por kam marr pjesë edhe në shumë beteja, sepse jam prej njësive të para që kam vepruar në atë pjesë dhe kemi qenë një numër shumë i vogël që kemi marr pjesë”, tha zoti Qeriqi.

Loja me numra ka bërë që kritikët të pohojnë se po të kishte Kosova ushtarë sa thuhet, mbase nuk do të ishte e domosdoshme ndërhyrje ndërkombëtare.

“Ne duhet të jemi të sinqertë, e kemi rastin e Kroacisë ku kam qenë. Po të ishin edhe 100 mijë ushtarë, problem pa ndihmën e ndërkombëtarevë. Serbia ka qenë një fuqi e madhe, krejt armatimi i ish Jugosllavisë ka qenë në Serbi, nuk do të flaës për helikopterë dhe aeroplanë që kishte por vetëm tankset, artilerinë dhe kombësirinë që Serbia e kishte të fortë edhe 100 mijë të ishim nuk do të mundeshim pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Edhe kroatët pa ndihmën e ndërkombëtarëve nuk janë çliruar kjo është një e vërtetë, edhe pse i kanë pasur mbi 200 mijë ushtarë Kroacia edhe armatimin shumë më të mirë se tonin dhe kanë qenë dashur të çlirohen me ndihmën e NATO-s”, thotë Hysni Gucati nga organizata e veteranëve.

Zoti Gucati thotë se duhet të miratohet ligji për vlerat e luftës dhe kjo do të mundësonte spastrimin e listave, por njëkohësisht thotë ai shtetit duhet të ndryshojë qasjen ndaj veteranëve duke mos i lënë ata të varur nga një pension prej 170 eurosh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat