Komandanti i “Bondsteel”-it: Kosova, pjesë e rëndësishme për Amerikën

Aktuale

Komandanti i “Bondsteel”-it: Kosova, pjesë e rëndësishme për Amerikën

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 12:11
Nick Ducich

Komandanti i bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Kosovë, Nick Ducich ka treguar se hera e parë kur e kishte vizituar Kosovën ishte viti 2010, kur shoqëroi njerëz që po vizitonin kontingjentin e KFOR-it të Ukrainës derisa ishin ende në Kosovë.

Siç shkruajnë mediat serbe, sa për ndryshimet në Kosovë gjatë tetë viteve të fundit, ai ka thënë se sheh se në infrastrukturë ka riparime thelbësore, autostrada të reja, shtëpi të ndërtuara, biznese të hapura, rrugët janë plot.

“Jam i kënaqur gjithashtu që kësaj here kam vizituar kisha dhe manastire të ndryshme, të cilat nuk kam pasur mundësi për t’i vizituar herën e parë”, tha ai.

“Shumica e bisedave me njerëz kishin të bënin me ekzistencën. Njerëzit ankohen për papunësinë, duan të kenë një punë më të mirë, paga më të mira – në mënyrë që ata mund të kenë fuqi më të madhe blerëse dhe që fëmijët e tyre të kenë një arsim të mirë”, ka shtuar Ducich.

Përveç kësaj, komandanti Ducich ka thënë se situata në Kosovë është e sigurt, por jo stabile, pasi sipas tij, “tensionet rriten dhe bien”.

“Tensionet rriten kur paraqiten histori të ndjeshme, që luajnë me emocionet njerëzore”.

Ndër tjerash, në një intervistë për mediat serbe, ai ka folur edhe rreth transformimit të FSK në Ushtri të Kosovës.

Në këtë drejtim ai ka thënë se ambasadori amerikan ishte i qartë kur foli për ushtrinë e Kosovës dhe shtoi se nëse ndodh transformimi, kjo duhet të ndodhë me ndryshimet kushtetuese.

“Njerëzit duhet të besojnë se KFOR-i bën gjithçka për të siguruar sigurinë dhe paqen. Ata nuk duhet të besojnë gjithçka që lexojnë në gazeta, veçanërisht nëse ato janë nga burime të dyshimta. Ata duhet të mësojnë të besojnë njëri-tjetrin në mënyrë që në një moment të kemi stabilitetin dhe mundësinë për një jetë normale dhe të begatë këtu në Kosovë”, ka thënë tutje Ducich.

Dhe në fund, komandanti i “Bondsteel” ka thënë se deri në arritjen e një marrëveshje (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), KFOR-i akoma është i nevojshëm.

“Do të kërceja nga gëzimi nëse do të arrihej një marrëveshje e plotë që mund të zbatohet dhe të normalizohet situata”.

Ndërsa i pyetur se çfarë do të thotë kjo pjesë e botës për amerikanët dhe nëse “Bondsteel” dhe Kosova janë një pjesë e rëndësishme e botës për Amerikën, Ducich thotë se është definitivisht diçka e tillë.

“Nëse ju shikoni në Evropë si tërësi, ata janë garantuesit e sigurisë. Nëse shikojmë Ballkanin, ky rajon përfiton nga ajo siguri. Kjo paqe mbahet deri në arritjen e këtyre marrëveshjeve dhe deri në zgjidhjen e numrit të çështjeve të hapura”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat