Drenica e ndal Vuçiqin, Policia jep detaje për protestën - Bota Sot
Drenica e ndal Vuçiqin, Policia jep detaje për protestën

Aktuale

E mërkurë, 19 shtator 2018

Drenica e ndal Vuçiqin, Policia jep detaje për protestën

Nga: Bota sot Më: 9 shtator 2018 Në ora: 06:28
Pamje nga protesta në Drenicë

(E plotësuar) - Qindra qytetarë nga Drenica me mëngjes kanë bllokuar rrugët që të qojnë në fshatin Banjë të komunës së Skënderajt.

Në këtë fshat të banuar me serbë ka pasur të shkojë sot presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Por drenicasit kanë bllokuar të gjitha rrugët që të dërgojnë në këtë fshat duke thënë se nuk lejojnë hyrjen e Vuçiqit në Drenicë pa kërkuar falje për krimet e luftës.

Të mbledhur në magjistralen Mitrovicë -Skënderaj, konkretisht në fshatrat Vojtesh dhe Runik, veteranë të UÇK dhe qytetarë kanë bllokuar rrugën kryesore.

Atyre u ka bashkuar edhe kryetari i komunës Bekim Jashari, deputeti Bekim Haxhiu dhe qytetarë tjerë nga kjo anë.

Kryetari i komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, ka shprehur mbështetje për protestën duke thënë se presidenti serb nuk duhet të vijë përderisa nuk kërkon falje për krimet e kryera.

 Jashari: është e pakuptimtë që Vuçiqi të vijë këtu pa kërkuar falje për krimet e luftës

"Unë tani sa dola për të parë nga afër situatën. Protesta është e qetë, e organizuar nga vet qytetarët, shoqatat e fala nga lufta dhe shoqata e të pagjeturve, ku në Kosovë i kemi 15 mijë të vrarë, 1 mijë e 600 të zhdukur, vetëm në komunën tonë i kemi 128 të zhdukur. Unë solidarizohem si kryetar i komunës, me qytetarët e komunës time, që nuk mund të kalojë presidenti i Serbisë pa kërkuar falje mbi dhunën, mbi viktimat, për masakrat që kanë ndodhë gjatë viteve 98-99, dhe të vijë e të kalojë në Drenicë sikur nuk ka ndodhur asgjë, nuk ka asnjë kuptim kjo punë", tha Jashari.

 I pari i komunës tha se nuk pret që Vuçiqi të vizitojë fshatin Banjë, pasi që qytetarët janë organizuar mirë që të bllokojnë të gjitha rrugët.

Jashari: Mos të provokohen qytetarët

"Unë nuk besoj që ata do të tentojnë ndonjë alternativë tjetër, sepse qytetarët janë organizuar gjithandej në mënyrë paqësore me iu tregu organeve tona dhe bashkësisë ndërkombëtare, sepse në këtë vend ka pasur masakra, ka pasur gjenocid dhe nuk mund të harrohen aq lehtë. Ne ende jemi duke u marrë me dëshmorët e luftës, me viktimat e luftës, të cilët nuk janë mbledhur nga varrimet nëpër fshatra të ndryshme, për t'i varrosur në Marinë ushtarët e UÇK-së... Po shpresoj që kur ta marrin mesazhin e qartë institucionet tona dhe ndërkombëtare, mosntë provokojnë qytetarët", tha Jashari.

 Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se kjo protestë është e arsyeshme pasi që çdo pëllëmbë e tokës është e larë me gjak, ndonëse nuk ka dashur të komentojë vendimin e institucioneve për lejen që i është dhënë presidentit serb për të vizituar Kosovën.

Haxhiu: Ata që kanë përgjakur këtë tokë nuk mund të kalojnë pa kërkuar falje

"Veprimet politike dhe vendimet politike të liderëve institucional nuk do i komentoj sot. Sot jemi me qytetarët për të treguar se ata që kanë shkaktuar dhunë në Kosovë dhe e kanë përgjakur këtë tokë nuk mund të kalojnë kirshëm pa kërkuar falje", tha Haxhiu.

Kryetari i Veteranëve të Luftës së Ushtisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha se qytetarët protestues janë të vendosur të protestojnë deri në fund, në mënyrë që të përqojnë mesazhin e drejt se pa kërkim falje nuk ka.

Gucati: Jemi të vendosur, pa kërkim falje nuk kalon Vuçiqi

"Arsyeja e protestës ka qenë vizita e presidentit të Serbisë, që ka pasur me ardhë me një fshat, Banjë, që aty juk ka më shumë se 5-6 shtëpi serbe.... Mas pari duhet të kërkoj falje për gjenocidin dhe krimin që është bërë në territorin e Kosovës dhe sidomos në Drenicë, prej 5 marsit e këtej. Kështu që ne jemi të vendosur, qytetarët e Drenicës dhe një pjesë të Mitrovicës, që të mos lejohet kalimi i tij në territorin e Drenicës", theksoi ai.

Gucati shprehu bindjen e tij të plotë se presidenti i Serbisë nuk ka asnjë alternativë tjetër që të shkoj në Banjë.

Meti Thaçi nga organizata "Pengu i Lirisë", tha se ky është provokim pasi që Drenica, ka pasur të zhdukur më së shumti.

Thaçi: Udhëtimi i tij në Drenicë është provokim

“Këtu janë afër 1 mijë protestues pjesëmarrës në këtë tubim, kemi edhe në Runik atje në fshatin Banjë. Kemi organizuar Shoqatat e dala nga lufta, sidomos Shoqata Pengu i lirisë në Skenderaj, e cila përfaqëson familjet e të zhdukurve gjatë luftës. E dini se Skenderaj, Drenica ka pasur më së shumti të zhdukur 560, mirëpo deri më tani kemi të pagjetur edhe 128 persona. Do të thotë ende jemi komuna e cila kemi më së shumti të zhdukur, për këtë arsye këto organizata kanë organizuar që të mos lejon pa kërkuar falje presidenti serb të kalojë të vije në Drenicë. Ky udhëtim i tij është si provokim, se fshati Banjë komunës së Skenderajt, se unë i përfaqësoj edhe personat e zhdukur serb, është një fshat shumë i vogël, ku e gjet vec fshatin Banjë ku kemi në Kosovë shumë", tha Thaçi.

Ndërsa Ferit Bajraktari nga fshati Klinë ka thënë se nuk ka asnjë kuptim që shteti i ka dhënë leje Vuçiqit për të ardhur në Kosovë.

Ai tha se është dashur që të protestohen qeveritarët e jo rrugët këtu.

Bajraktari: Është dashur të bllokohen ata në pushtet

“Nuk ka kuptim kjo çka u bë, për arsye se shteti i ka dhanë leje. Nëse shteti i ka dhënë leje me qarkullua këndej atëherë është dashur që pushtetarëve me shkua atje me ju thënë se pse i kanë dhënë leje e jo me bllokua rrugën me i pengua qytetarët. Pa pikë arsye është për mendimin tim, e kanë bë këtu e prishin asfaltin dhe gjë nuk bëjnë. Nëse është dashur, është dashur me i bllokua atje, kurrgjë nuk bënë këtu vetëm i kanë pru qytetarët pa lidhje, nëse e ka lejuar qeveria shko qeverisë, më mirë ka qenë me bllokua qeverinë”, tha ai.

Protesta po vazhdon ende ndërsa raportohet se presidenti serb Aleksandër Vuçiq është nisur për në fshatin Banjë pavarësisht se kryeministri Ramush Haradinaj ka marr vendim për tërheqjen e lejes për ta vizituar zonën e Drenicës.

***

Qytetarë të rajonit të Drenicës mëngjesin e sotëm kanë bllokuar rrugën Mitrovicë-Skenderaj, në shenjë proteste kundër vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fshatin Banjë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se deri më tani situata është e qetë dhe nuk është raportuar ndonjë incident.

“Policia e Kosovës ka informacione për tubime të disa qytetarëve dhe bllokim të rrugës në rajonin e Drenicës, për të protestuar kundër vizitë së presidentit serb në këtë rajon. Situata është e qetë dhe nuk është raportuar ndonjë incident”, tha ai.

Protestuesit kanë djegur goma të veturave dhe dru, si dhe kanë vendosur makineri të rënda për të bllokuar rrugën.

Bekim Jashari: Vuçiq mund të kalojë në Drenicë vetëm me këtë kusht

Kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, i është bashkuar protestës së qytetarëve të Drenicës, për të ndalur vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Para protestuesve, Jashari ka thënë se Vuçiq nuk mund të kalojë nëpër këtë pjesë, derisa të kërkojë falje për gjenocidin dhe krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, shkruan Bota sot.

Ai ka thënë se ngjarjet e luftës janë ende të freskëta.

“Ata të marrin mesazhin e qartë, edhe institucionet tona, edhe ndërkombëtarët”, ka thënë Jashari.

***

Protestuesit kanë bllokuar dy rrugë kryesore nga Mitrovica për në Skenderaj. Është fjala për bllokimin e rrugës në fshatin Runik dhe Vojtesh, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fshatin Banjë.

Image

***

Një grup qytetarësh nga Skenderaj ka bllokuar rrugën që çon për në fshatin Banjë të kësaj komune, për t’i pamundësuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që ta vizitojë këtë lokacion.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, Vuçiq ka në agjendë edhe një vizitë në këtë fshat, ku jetonë pjesëtarë të komunitetit serb.

Shoqatat e dala nga ish-strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo komunë, kanë ftuar qytetarët që të dalin në rrugë që nga orët e mëngjesit, për t’i pamundësuar Vuçiqit të shkojë në fshatin Banjë.

“Duke ju kërkuar secilit mirëkuptim në një ditë vikendi për shqetësimin tuaj, na falni, por duhet t’ju ftojmë në protestë sepse po vjen pa kërkuar falje një President i një shteti që ka vrarë, masakruar dhunuar popullatën e pa fajshme”, thuhet në ftesën për protestë të këtyre shoqatave.

“Ta ndalojmë Vuçiqin që mos të shkelë në tokën e Drenicës”, thuhet në njoftim.

Nisur nga kjo ftesë, qytetarët kanë bllokuar rrugën, duke vënë pengesa të ndryshme për të pamundësuar qarkullimin.

Thirrjeve për protestë u janë bashkuar asamblistë dhe përfaqësues politik nga kjo komunë. Edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se Vuçiq nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e bëra nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha Jashari.

Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës është parë në këtë pjesë, në përpjekje të ruajtjes së qetësisë dhe sigurisë.

Edhe Ramiz Lladrovci arrin në protestë

Në protestën e organizuar nga qytetarët e Skenderajt kundër vizitës së Presidentit të Serbisë në Skenderaj, në fshatin Tërrnavc tashmë kanë arritur edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, Nuredin Lushtaku, deputeti Bekim Haxhiu, Shoqatat e dala nga lufta dhe Gani Koci.

Po ashtu aty kanë mbërritur edhe nga Drenasi, kryetari i Komunës Ramiz Lladrovci.

Që nga mëngjesi i hershëm i ditës së sotme qytetarë të Drenicës në shenjë protesete kundër paralajmërimit të vizitës së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fshatin Banjë të Skenderajt kanë bllokuar rrugën në fshatin Tërrnavc. 

Image

Edhe Bekim Jashari i bashkohet protestës kundër Vuçiqit në Drenicë

Protestës kundër vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Banjë të Skenderajt, iu është bashkuar edhe Krytari i kësaj komune, Bekim Jashari.

Jashari ka thënë se është solidarizuar me qytetarët sepse Vuçiq po tenton të hyjë në zonën më të prekur të luftës në Kosovë.

Ai ka thënë po ashtu se president serb Aleksandar Vuçiq do të kthehet nga ka ardhur ngase drenicasit janë mobilizuar nga të gjitha anët ndërsa ka theksuar se ai mund të kalojë në këtë pjesë vetëm kur të kërkojë falje për krimet e kryera.

Image

KFOR-i arrin pranë protestuesve në Tërnavc

Tek protestuesit që kanë bllokuar segmentin rrugor Tërnavc-Klinë e Epërme, për të mos lejuar shkuarjen e Vuçiqit në Banjë, kanë arritur edhe forca të KFOR-it.

Media raporton se KFOR-i nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për shpërndarjen e protestës, por me qetësi po e përcjellë situatën.

Kujtojmë se përveç segmentit rrugor në Tërnavc, rrugët janë bllokuar edhe në Runik dhe fshatra të tjera.

Media raporton se protestës se shoqatave te luftes së UÇK-së i janë bashkuar edhe kryetari Bekim Jashari, nënkryetari Nuredin Lushtaku, deputeti Bekim Haxhiu dhe personalitete të tjera.

Image

I vihet flaka barrikadës së vendosur kundër Vuçiqit

Protestuesit që kanë bllokuar segmentin rrugor Tërnavc-Klinë e Epërme, për të mos lejuar shkuarjen e Vuçiqit në Banjë, kanë filluar të bëjnë edhe veprime radikale.

Në këtë foto shihet se ata kanë ndezur një zjarr të madh në Vojtesh, i cili është një veprim simbolik paralajmërues për Vuçiqin.

Përveç segmentit rrugor në Tërnavc, rrugët janë bllokuar edhe në Runik dhe fshatra të tjera.

Përveç në Tërnavc, rruga për të shkuar në Banjë të Skenderajt Vuçiqit i është bllokuar edhe në fshatin Runik.

Image

***

Shoqatat e dala nga lufta dhe qytetarët e komunës së Skenderajt, tanimë ia kanë bllokuar rrugën presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Ata kanë vendosur kamjon, dru dhe gjësende tjera duke bllokuar rrugën që qon për në fshatin Banjë të kësaj komune, në të cilin Vuçiq është paraparë ta vizitojë nga ora 9:15.

Aty ka dal edhe Policia e Kosovës.

Shoqatat e dala nga lufta kanë njoftuar mbrëmë për protestën.

’Nga shoqatat e dalura nga Lufta e UÇK-së Dega Skenderaj Të nderuar qytetar të Skenderajt, veçanarisht luftëtarë, invalidë dhe familjarë të dëshmoreve. Fillimisht ju kërkojmë falje që po iu shqetësojmë në këto orë të vona, por sa po morëm lajmin se Aleksander Vuçiç nesër do të shkelë tokën e Drenicës. Andaj duke ju kërkuar secilit mirëkuptim në një ditë vikendi për shqetësimin tuaj, na falni por duhet të iu ftojmë në protestë sepse po vjen pa kërkuar falje një President i një shteti që ka vrarë, masakruar dhunuar popullatën e pa fajshme nga foshnja e posalindur deri tek mosha ma e shtyer, zgjohuni në këmbë të gjithë ta ndalojmë Vuçiçin që mos të shkelë në tokën e Drenicës. Asnje zyrtar i shtetit Serb që ka shkaktu dhunë dhe vujtje në Kosovë nuk do të duhej të lejohej të hynte në Kosovë pa kerkuar falje. Takohemi të gjithë në Sheshin “ADEM JASHARI” në ora 06:00 në mengjes për ti bllokuar të gji tha rrugët që qojnë në Banjë fshat ky në tokën arberore “o sot o kurrë’’, shkruan njoftomi i veteraneve të UÇK-së dega në Skënderaj.

Image

***

Kështu duket këtë mëngjes zona e pikës Vojtesh në magjistralen Skenderaj-Mitrovicë, ku banorë të asaj ane nuk duan të lejojnë hyrjen e presidentit serb Aleksander Vuçiq në tokat e Drenicës.

Aleksandar Vuçiq pritet që në ora 9:00 sipas agjendës së tij të paraparë do të vizitojë fshatin Banjë.

Image

***

Drenicasit sot kanë barrikaduar me drunjë e kampionë magjistralen Skenderaj – Mitrovicë, në kundërshtim të vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në fshatin Banjë.

Zona e njohur si pika Vojtesh është bllokuar e tëra për tejkalim, nga protesta e thirrur nga veteranët e UÇK-së e degës në Skenderaj.

***

Vizita e djeshme të nisur në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duket se do ta ketë të vështirë ta realizojë sipas agjendës së paraparë dhe të miratuar nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme.

Që nga ora 06:30, drenicasit i kanë bllokuar të gjitha rrugët që dërgojnë në fshatin Banjë, për të mos lejuar vizitën e presidentit serb.

Qindra qytetarë me makina janë mbledhur në fshatin Tërnavc, duke krijuar kolonë të gjatë rreth 2 km, e cila do t’i pamundësojë Vuçiqit hyrjen nga Mitrovica për në Drenicë.

Vuçiq sipas agjendës ka paraparë që sot në mëngjes do të qëndrojë në Zveçan, për të vazhduar në ora 10:00 në fshatin Banjë të Skenderajt, i cili pjesërisht banohet me serbë.

***

Kanë filluar të mblidhen në sheshin ‘’Adem Jashari’’ ne Skenderaj, qytetarët të cilëtt po e kundërshtojnë vizitën e Aleksander Vuçiq në fshatin Banjë.

Kjo protestë është organizuar nga veteranët e UÇK-së dega në Skenderaj, ndërsa është paraparë të niste nga ora 6:00 e mëngjesit të së dieles.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test