Vjosa Osmani: Plani Vuçiq-Thaçi mund të ndalet vetëm nga qytetarët

Aktuale

Vjosa Osmani: Plani Vuçiq-Thaçi mund të ndalet vetëm nga qytetarët

Nga: N.H Më: 9 shtator 2018 Në ora: 21:28
Vjosa Osmani

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se, Vuçiq sot shprehu pretendime territoriale jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve të tjera në rajon.

Sipas Osmanit, fjalimi i presidentit serb paralajmëron kohëra jo të mira për Ballkanin Perëndimor.

Ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, potencon se planet luftë-nxitëse e logjika e shekullit të 19-të e ndarjes në vija etnike e promovuar nga Vuçiq-Thaçi, mund të ndalet vetëm nga qytetarët.

Ja postimi i plotë:

Sot Vucici në Kosovë e quajti Milosevicin ‘lider të madh’, gjenocidin e Milosevicit ‘luftë të ndershme’, dhe shprehi krenarinë e tij me Dobrica Cosicin dhe ideologë të tjerë të politikave hegjemoniste serbe. Për më tepër, ai shprehu pretendime territoriale jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve të tjera në rajon. Fjalimi i tij sot paralajmëron kohëra jo të mira për Ballkanin Perëndimor; paralajmëron se Serbia vazhdon t’i preferojë jostabilitetin e tragjeditë njerëzore. Të gjitha këto të paketuara në një fjalim që aty-këtu përmendte paqen e pajtimin.

BE reagoi pse nuk u lejua në Drenicë i preferuari e i përkëdheluri i tyre, ish-ministri i propagandës së Milosevicit dhe sekretari i përgjithshëm i Sheshelit kur në Ballkan kryhej gjenocid. Këtij shqetësimi ju bashkua edhe miku i Aleksandrit, Hashimi. Por, siç u dëshmua sot në Drenicë, planet luftë-nxitëse e logjika e shekullit të 19-të e ndarjes në vija etnike e promovuar nga Vucic-Thaçi, mund të ndalet vetëm nga qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat