Thaçi nuk garanton bashkim të Luginës me Kosovën

Aktuale

Thaçi nuk garanton bashkim të Luginës me Kosovën

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 11:50
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Liderët politikë të Luginës së Preshevës i kanë dorëzuar një kërkesë presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, që të iniciojë nxjerrjen e një rezolute në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës do të mbështesin bashkimin e tyre me Kosovën.

Pas takimit të liderëve të Luginës me presidentin Thaçi, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, lexoi kërkesën e nënshkruar nga përfaqësuesit politikë të luginës, me ç’rast theksoi se kërkesa e tyre është legjitime. Ai u shpreh optimist se kjo kërkesë do të procedohet shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës.

Arifi: Të nxirret rezolutë për të mbështetur bashkimin e Luginës me Kosovën

“Kemi iniciuar disa çështje që neve na brengosin në drejtim të asaj që ta esencializojmë edhe me shumë çështjen e dialogut, çështjen e korrigjimit të kufirit. Ne sot kemi shpalosur idenë e një rezolute që duhet të nxjerrë Parlamenti i Kosovës, në drejtim të asaj që e mbështesin kërkesën tonë shumëvjeçare, nga viti 1992, për të drejtën për bashkëngjitje me Kosovën. Kjo është një kërkesë që ne sot ia kemi sjellë presidentit, i cili e pranoi si një akt legjitim të cilin ne e kërkojmë nga Parlamenti i Kosovës dhe në ditët në vijim do ti kontaktojmë shefat e grupeve parlamentare që të iniciojnë këtë seancë sa më shpejt që është e mundshme dhe ta nxjerrin këtë rezolutë në atë seancë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Edhe kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, u shpreh i bindur se do të gjejnë mbështetje nga ana e institucioneve dhe partive politike, në përmbushjen e të drejtës së tyre për bashkim me Kosovën.

Kamberi: Akterët politik në Kosovë të respektojnë kërkesën tonë për bashkim

“Ne shpresojmë që të gjithë akterët politikë në Kosovë, veçanërisht deputetët në Kuvendin e Kosovës, do ta respektojnë kërkesën tonë dhe përmes saj do të ndërtohet unitet politik i plotë, i cili do të mbështesë presidentin dhe ekipin negociator të Kosovës në bisedimet e Brukselit. Pra, Lugina e Preshevës e ka shprehur vullnetin e vet se është për bashkim me Kosovën duke i kërkuar respektimin e tërësisë së saj territoriale”, tha Kamberi.

Ndërsa presidenti Hashim Thaçi, ofroi mbështetje në institucionalizimin e kërkesave të përfaqësuesve të Luginës, që t’i bashkohen tërësisë territoriale ët Kosovës. Megjithatë, i pari i vendit nuk garantoi bashkim, pasi që sipas tij, kjo varet nga vullneti politik.

Thaçi: Unë nuk garantoj bashkim të Luginës, kjo varet nga uniteti politik

“Unë nuk iu premtoj preshevarëve, njerëzve të Medvegjës e Bujanocit, dhe nuk garantoj bashkëngjitje. Unë siguroj dhe garantoj se do të punoj shumë deri në qenien time të fundit që kjo të ndodhë. Se a do të ndodhë apo jo, varet nga uniteti politik në Kosovë, nga uniteti politik në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe nga hapat tonë të mëtutjeshëm për një zgjidhje përfundimtare në marrëveshjen historike mes Kosovës dhe Serbisë, pra një marrëveshje të karakterit, shpirtit dhe substancës evropiane”, tha ai.

Ai beson se kërkesa e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës do të gjejë mbështetje, porse theksoi se nevojitet unitet politik.

Thaçi: Partitë politike të zyrtarizojnë qëndrimin e tyre për bashkimin e Luginës

“Unë i besoj kauzës së bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën. S’ka që më bind të kundërtën. Dhe më së paku kjo çështje duhet të politizohet dhe të merr karakter elektoral, popullist apo personal. Njerëzit janë në hall dhe duhet me iu ndihmuar. Kemi obligim kushtetues, ligjor, njerëzor, kombëtar, demokratik. Nëse nuk i ndihmojmë le të deklarohen. Mirëpo nuk shkon: ‘edhe iu duam, edhe iu përkrahim, por s’mundemi kështu’, tregoni se si. Njerëzit iu janë drejtuar institucioneve të Kosovës dhe partive shqiptare për një rezolutë në Kuvend dhe le të deklarohen, janë për ose kundër. E di se janë të gjithë ‘për’, por le ta zyrtarizojnë”, tha Thaçi.

Ndryshe,  presidenti Thaçi është shprehur i bindur se kërkesa e përfaqësuesve të Luginës do të gjejë mbështetje nga partitë politike në Kosovë.

Liderët e Luginës kërkojnë rezolutë të Kuvendit të Kosovës për bashkim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se ka marrë ftesën e liderëve të Luginës së Preshevës për të vizituar Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Ai në një konferencë të përbashkët me media me liderët e Luginës së Preshevë theksoi se Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën e tij në Luginë.

"Kur e kam vizituar Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, nuk e kam vizituar me leje të Serbisë, por kam qenë aty me kauzën tonë për të drejta të shqiptarëve. Tash jemi në një rrethanë tjetër. Ju e dini se unë jam i dënuar në mungesë nga Serbia. Unë nuk e kam kërkuar atë falje. Unë nuk mund të marr kufijtë për ballafaqim fizik me Serbinë. Kur ka qenë koha, e ballafaqimit ia kam treguar vendin me bashkëluftëtarët e mi. Mua më ftuan ta vizitojë Luginën e Preshevës, por rrethanat janë të ndryshe, Beogradi nuk e sheh të dobishme vizitën atje", tha Thaçi.

Ai shtoi se Kosova nuk e ka vetëm presidentin që nuk mund të vizitojë Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, teksa ka ftuar ata që mund ta vizitojnë që të shkojnë sa më shpesh që të munden.

"Mendoj se disa lider duhet të shkojnë, ata që mund të shkojnë. Unë do t'i përshëndes...Vendimi përfundimtar për marrëveshjen Kosovë-Serbi do të jetë i konsoliduar edhe me përfaqësues të Luginës së Preshevës", tha presidenti Thaçi.

Ndërsa ishte Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, ritheksoi dëshirën e qytetarëve të Luginës së Prishtinës që të kenë në vizitë presidentin e Kosovës.

"Nëse duhet edhe të kërkoni leje nga Serbia, tek e fundit, është e rëndësishme që t'u kemi aty. Besoj që është një kërkesë legjitime dhe jeni i mirëseardhur", tha ai.

Thaçi: Mundësia për marrëveshje me Serbinë është minimale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ritheksuar se mundësia për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, është minimale dhe pothuajse e pamundur, megjithatë ia vlen të provohet, gjithmonë duke respektuar interesat e shtetit të Kosovës.

Ai rinënvizoi se nuk do të ketë ndarje dhe as shkëmbim, sikurse nuk do të lejojmë të krijohet republika serbska.

“Nuk iu premtoj miqve në luginë dhe nuk garantoj bashkëngjitje por do të punoj shumë që kjo të ndodhë. Se a do të ndodhë apo jo varet nga uniteti në Kosovë, në luginë dhe nga hapat tjerë të mëtutjeshme për një zgjidhje përfundimtare me marrëveshjen historike në mes Kosovës dhe Serbisë, pra një marrëveshje e karakterit, shpirtit dhe substancës evropiane“, tha ai.

Ai shtoi se as që vjen në shprehje diskutimi për Trepçën, Ujmanin dhe veriun e Kosovës.

***

Liderët politikë të Luginës së Preshevës, Bujanovcit dhe Metvegjës iu kanë drejtuar me një kërkesë publike liderëve të Kosovës, që në një periudhë sa më të shkurtër kohore të miratojë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës, përmes së cilës do ta përkrahin vullnetin e tyre politik të shpallur me një rezolutë e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, për bashkimi e tyre me Kosovën.

Pas takimit të liderëve të luginës me presidentin Hashim Thaçi, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, lexoi kërkesën e nënshkruar nga përaqësuesit politik të luginës, duke thënë se shpresojnë që kjo kërkesë sa më shpejt të procedohet në Kuvendin e Kosovës.

Ai shtoi se kanë kërkuar përfshirje të liderëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Metvegjës në delegacionin negociues të Kosovës në Bruksel.

Drejtpërdrejt nga konferenca e Thaçit me liderët e Luginës së Preshevës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po takon liderët politikë të Luginës së Preshevës.

Lajmi është bërë i ditur nga zyra e informacionit të presidentit, sipas së cilës Thaçi dhe liderët e Luginës së Preshevës, pas takimit, pritet t’u drejtohen mediave me një konference të përbashkët.

Ky takim ndodh në zyrën e Thaçit, ai nuk ka vizituar ende Luginën, ndryshe që presidenti serb vizitoi serbët që jetojnë në Kosovë, që disa herë, e fundit ishte vikendin që lamë pas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat