Veseli: 11 shtatori ishte sulm mbi vlerat civilizuese

Aktuale

Veseli: 11 shtatori ishte sulm mbi vlerat civilizuese

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 10:01
Homazhe përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA

Kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe ambasadori i SHBA-sw në Kosovë, Greg Delawie në mëngjes kanë bërë homazhe në përkujtim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova dhe Amerika janë bashkë edhe në këtë ditë dhe do të jenë gjithnjë dhe lutjet shkojnë për familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit.

Haradinaj: Kosova dhe Amerika janë bashkë edhe në këtë ditë

“Kosova dhe Amerika janë bashkë edhe në këtë ditë, e do të jenë gjithnjë. Lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave. Faleminderit ambasador për nderin që na bëtë me qenë sot me ne”, ka thënë shkurt Haradinaj. 

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se 11 shtatori ka qenë sulm mbi vlerat civilizuese, provë për gjithë botën demokratike, për t’iu përgjigjur një fryme, e cila ka qenë çnjerëzore.

Ai shtoi se Kosova do të jetë së bashku me Amerikën, sepse Amerika është shpëtimtare e Kosovës.

Veseli: 11 shtatori ka qenë sulm mbi vlerat civilizuese

“11 shtatori ka qenë sulm mbi vlerat civilizuese. 11 shtatori ka qenë një provë për të gjithë botën demokratike për t’i përgjigjur një fryme, e cila ka qenë çnjerëzore. Sot kaq vite pas asj dite të rëndë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar ka triumfuar, çdo ditë e më tepër po mbizotëron arsyeja, në të njëjtën kohë vlerat demokratike, vlerat civilizuese tona perëndimore nuk ka askush që mund t’i  cenojë”, ka thënë Veseli.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, tha se Shtetet e Bashkuara përkujtojnë sulmet e 11 shtatorit dhe me këtë rast falënderojmë Qeverinë dhe popullin e Kosovës për partneritetin dhe mbështetjen në këtë situatë.

Ai theksoi se sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, Uashington dhe në Pensilvani, terrorizuan gjithë botën dhe populli i Kosovës gjithë kohën ka qenë me amerikanët.

Delawie: Ndihem mirë të jem këtu

“Ndihem mirë të jem këtu. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë me të vërtetë se si Kosova e përkujton 11 shtatorin dhe faleminderit Qeverisë dhe popullit të Kosovës për miqësinë dhe për mbështetjen e tyre në këtë kohë dhe gjatë gjithë vitit. Sulmi terrorist që ndodhi më 11 shtator 2001 në Nju Jork, Ëashington DC dhe në Pensilvani preku tërë botën dhe që nga ajo kohë, populli i Kosovës ka qëndruar pranë nesh, nderojmë sakrificat e shumë njerëzve të cilët humbën jetën atë ditë dhe e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të popullit të Kosovës", ka theksuar Delawie.

Në nderim të viktimave të 11 shtatorit 2001 në SHBA, në Prishtinë sot janë paraparë të mbahen disa aktivitete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat