Kosova dhe Gjermania me marrëveshje që rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar - Bota Sot
Kosova dhe Gjermania me marrëveshje që rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar

Aktuale

E mërkurë, 19 shtator 2018

Kosova dhe Gjermania me marrëveshje që rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 15:56
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes

Qeveria e Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeveria e Gjermanisë përfaqësuar nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë nënshkruar marrëveshjen kornizë, marrëveshje kjo e cila rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar në mes të të dy Qeverive.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Financave Bedri Hamza, është shprehur se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për vendin, pasi sipas tij përmes saj krijohet baza e bashkëpunimit për të gjitha aspektet teknike dhe financiare.

Hamza: Kjo është marrëveshja bazë për të gjitha bashkëpunimet tjera

“Kjo është marrëveshja bazë, marrëveshje kornizë që mbi bazën e kësaj marrëveshje do të negociohen, do të nënshkruhen edhe marrëveshjet e ardhshme, që sigurisht do të kenë edhe kontribut financiar për projekte të caktuara. Të gjitha marrëveshjet në të ardhmen që nënshkruhen për përkrahje, për bashkëpunim, do t’i referohen marrëveshjes ekzistuese dhe marrëveshja aktuale do të jetë baza kryesore ku do të referohen marrëveshjet e ardhshme. Pra, ka të bëjë me bashkëpunimin financiar, teknik, rregullimin e mënyrës legjislative të bashkëpunimit dhe të gjitha detajet e tjera, duke përfshi edhe çështjen e pagesës, taksave dhe gjithçka tjetër”, tha Hamza.

Kreu i Ministrisë së Financave ka thënë se shteti gjerman është një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë, e arritja e kësaj marrëveshje sipas tij tregon edhe një herë qëllimin e Qeverisë gjermane që përmes institucioneve të saja të kontribuoj në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.

Hamza: Gjermania ka investuar mbi 600 milionë euro në Kosovë

“Deri më tash shteti gjerman është njëri prej donatorëve më të mëdhenj në Kosovë, investimet dhe kontributet e tyre janë mbi 600 milionë euro. Që janë investuar në prioritetet me rëndësi të lartë për zhvillimin ekonomik në Kosovë, siç janë sektori i energjisë, sektori i ujit të pijes, trajtimit të ujërave të zeza, në fushën e arsimit, shëndetësisë, po edhe në ngritjen e kapaciteteve teknike”, tha ai.

Në anën tjetër edhe ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, është shprehur se kjo marrëveshje në mes dy vendeve është shumë e rëndësishme.

Ai bëri të ditur se negociatat për këtë marrëveshje janë zhvilluar tash e 7 vite me radhë, e sipas tij marrëveshja është rezultat i një pune të përbashkët të institucioneve gjermane dhe të Kosovës.

Heldt: E ndërton një bazë ligjore me të cilën mund të zhvillohet bashkëpunimi

“Ne gjithmonë jemi të përkushtuar për zhvillimin e sundimit të ligjit dhe të funksionimit të ligjit, prandaj ne nuk mund të predikojmë këtu për rëndësinë e zbatimit të ligjit ndërkohë që nuk punojmë edhe vet mbi një bazë ligjore të caktuar. Kjo e kryen këtë punë, kjo marrëveshje e bënë këtë punë, e ndërton një bazë ligjore me të cilën mund të zhvillohet bashkëpunimi”, tha ai.

Për institucionet gjermane, sipas ambasadorit Heldt është shumë i rëndësishëm serioziteti në bashkëpunim, e këtë seriozitet ai tha se e ka gjetur tek institucionet e Kosovës.

Kjo marrëveshje në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë është e para e llojit që rregullon bazën e bashkëpunimit teknik dhe financiar në mes të dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test