Kuvendi i rezolutave në letër - Bota Sot
Kuvendi i rezolutave në letër

Aktuale

E mërkurë, 19 shtator 2018

Kuvendi i rezolutave në letër

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 20:23
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës, ndër vite ka miratuar një numër të konsiderueshëm të rezolutave, por të cilat kryesisht kanë mbetur vetëm si shprehje e një vullneti politik, ngase nuk janë zbatuar.

Rezolutat u kanë shërbyer deputetëve dhe partive politike në Kuvend për prezantimin e qëndrimeve dhe fjalimeve “të zjarrta” politike, të cilat besohet se ishin më tepër për konsum të brendshëm politik.

Së fundi në Kuvendin e Kosovës janë propozuar dy rezoluta për të cilat deputetët e partive në pushtet dhe opozitë kanë mendime të ndryshme.

Rezoluta e parë e propozuar nga opozita që ka të bëjë me angazhimet e presidentit Hashim Thaçi për përfshirjen e "shkëmbimit të territoreve" apo "korrigjim të kufijve" në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe e dyta një rezolutë e propozuar nga liderët politikë të Luginës së Preshevës për bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën.

Deputeti Zenun Pajziti nga Partia Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se çështja e rezolutave në Kuvendin e Kosovës nga mënyra se si janë miratuar, ka devalvuar.

"Këto rezolutat e fundit, tashmë lidhen me një temë që është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe duhet gjithsesi të trajtohen. E para e opozitës është një reflektim politik ndaj zhvillimeve të fundit, konkretisht ndaj angazhimit të presidentit për dialogun, që mendoj se kjo nuk i bën mirë as opozitës e as skenës politikë në Kosovë, sepse rezolutat e tilla duhet ta kenë prioritet interesin nacional, interesin kombëtar e më pastaj agjendat politike. Kurse rezoluta tjetër, që është propozuar nga përfaqësuesit e Luginës, ka të bëjë me një reagim të qytetarëve të asaj ane që është legjitime", tha Pajziti.

Kurse, deputetja opozitare Shqipe Pantina, nga Partia Socialdemokrate, mendon se një rezolutë e mundshme e propozuar nga politikanët e Luginës së Preshevës dhe e mbështetur nga presidenti Hashim Thaçi, nuk do të mund të miratohet në Kuvendin e Kosovës, pasi që një gjë e tillë, sipas saj, është jokushtetuese.

"Kemi një Kushtetutë e cila është në fuqi dhe e cila Kosovën e njeh si një tërësi territoriale. Mendoj se çdo rezolutë tjetër në Kuvend është në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo e propozuar nga presidenti natyrisht që është kundërshtim sepse Kushtetuta i njeh, i përcakton kufijtë e vendit. Unë mendoj se nuk duhet të ketë tema tabu sa i takon të ardhmes së vendit, megjithatë duhet të ketë një synim se ku duam si shoqëri dhe si shtet të jemi", tha Pantina.

Kuvendi i Kosovës, në legjislaturën e pestë ka miratuar gjithsej 11 rezoluta.

Kurse, në legjislaturën e tanishme, të gjashtën deri më tani, janë miratuar 13 rezoluta. Të gjitha këto janë miratuar gjatë vitit 2018, kurse në vitin 2017 nuk ka pasur rezoluta të miratuara.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutë për heqjen e tarifave të roming-ut në telekomunikim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Po ashtu një rezolutë lidhur me heqjen e tërësishme të kontrollit në kufirin Kosovë – Shqipëri.

Të dy këto rezoluta ende nuk janë zbatuar. Kuvendi ka miratuar rezolutë për luftimin e korrupsionit si kriter për procesin e liberalizmit të vizave, sikurse që është miratuar edhe rezoluta në lidhje me zbatimin e programit kombëtar për zbatimin e MSA-së. Po ashtu në mesin e këtyre rezolutave është për gjendjen e rend në sistemin shëndetësor, por edhe për mbrojtjen dhe përmirësimin ambientit dhe ajrit.

Sipas deputetëve, është evident edhe fakti që shumë nga këto rezoluta pas miratimit në Kuvend, më pas Qeveria nuk i ka marrë fare parasysh.

Deputetja Shqipe Pantina, thotë se është për keqardhje se si nuk merren për bazë dokumentet që dalin nga Kuvendi i Kosovës.

"Unë nuk mendoj se as në nivel të teatrit nuk ndodhë ajo çka ndodh në Kuvendin e Kosovës, sepse teatri megjithatë ka një skenar edhe njerëzit aty janë profesionist, ata që aktrojnë”, thotë Pantina.

“Kjo mua me ngjan më shumë me një lojë të fëmijëve të lagjes, ku më shumë flitet e mbahen inate, madje edhe personale jo vetëm inate politike, sesa kihet parasysh çështja për të cilën diskutohet”, thotë ajo.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezolutat në Kuvendin e Kosovës kanë efektin politik dhe duhet të respektohen, pavarësisht që ligjërisht nuk janë të obligueshme.

"Rezolutat janë vendime të Kuvendit të Kosovës që shprehin qëndrimin apo vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ato janë qëndrime politike dhe duhet patjetër që të respektohen nga institucionet të cilave u drejtohen. Është për keqardhje të shihet që dokumentet apo vendimet e Kuvendit të kthehen në dokumente të konsumit të përditshëm politik apo të shërbejnë për politika ditore".

"Kuvendi është institucioni më i lartë ligjvënës që përfaqëson drejtpërdrejt qytetarët, prandaj edhe deputetët e Kuvendit kur ndërmarrin nisma për rezoluta duhet të jenë serioz, por edhe institucionet të cilave u drejtohet rezoluta duhet t'i respektojnë ato", tha Krasniqi.

Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës sipas organizatës KDI, që monitoron punën e Kuvendit, po përballet në vazhdimësi me mungesë të kuorumit./REL/

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test