Thaçi ripërsërit: Marrëveshja me Serbinë është interes për vendin dhe rajonin

Aktuale

Thaçi ripërsërit: Marrëveshja me Serbinë është interes për vendin dhe rajonin

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 10:32
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ka ripërsëritur qëndrimin e tij se marrëveshja me Serbinë është në interes të Kosovës dhe të rajonit. Në të njëjtën kohë e ka potencuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as asociacion me kompetenca ekzekutive dhe as shkëmbim të territorit.

I pari i vendit ka thënë se ditëve të fundit e ka marrë konfirmimin nga vendet e rajonit, në vizitat që ka bërë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni, që sipas tij e mbështesin dialogun dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Thaçi ka potencuar se marrëveshja në mes dy shteteve është në interes të të dy vendeve.

Thaçi: Nuk do të lejoj ndarje të Kosovës

“E ritheksoj, nuk do të lejoj ndarje të Kosovës, nuk do të lejoj krijimin e ndonjë Republike serbe ose Asociacioni me kompetenca ekzekutive siç ma kanë prezantuar ditë të kaluar këtu, kanë qenë të gatshëm të pajtohen, nuk lejoj individ të caktuar. Nuk lejoj shkëmbim, unë jam në favor të bashkëngjitjes së Luginës Preshevë, Medvegje dhe Bujanocit me Kosovën, botërisht, e mbështes fuqishëm. Sikur në asnjë rrethanë, me asnjë çmim nuk do të lejoj që dikush të cenoj apo të diskutojë për Trepcë, Gazivodë, veri të Mitrovicës. Kjo çështje le të harrohet”, tha ai.

Presidenti ka vazhduar të thotë se arritja e marrëveshjes nuk do të jetë fare e lehtë, pasi sipas tij do të ketë demarkim të kufirit.

Ai u shpreh se nuk mund të ketë përmbyllje të këtij procesi pa ndodhur korrigjimi i kufirit. E në këtë pjesë ai nuk la pa përmendur që Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës.

Thaçi ka përmendur edhe të mirat që vijnë për Kosovën në rast se arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi.

Thaçi: Nuk do të jetë fare proces i lehtë edhe në të ardhmen

“Nuk do të jetë fare proces i lehtë edhe në të ardhmen, për ditët, javët dhe muajt e ardhshëm, sepse do të kemi demarkimin e kufirit apo korrigjimin e kufirit prej 430 kilometrash. Nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen edhe të këtij procesi apo paralelisht. Korrigjimi i kufirit është i mundshëm dhe i siguron Kosovës njohje direkte nga Serbia dhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Njohja nga Serbia nënkupton njohje nga 5 vende të Bashkimit Evropian për Kosovën, Greqi, Spanje, Sllovaki, Rumani dhe Qipro. Nënkupton menjëherë fillimin e procesit të Kosovës përmes themelimit të ushtrisë dhe partneritet për paqe dhe rrugëtim të sigurt për NATO. Njohja reciproke Kosovë-Serbi nënkupton edhe heqjen e vetos ruse nga Këshilli i Sigurimit, e më këtë Kosova fiton një njohje globale prej 80 vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare ”, tha Thaçi.

Ai theksoi se Kosova do të bëjë një marrëveshje me Serbinë vetëm ajo marrëveshje është në pajtueshmëri të plotë me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian.

Kreu i vendit ka deklaruar se nuk do të nënshkruhet asnjë marrëveshje nga ana e tij që nuk nënkupton njohjen reciproke. Ndërsa, sa i përket kohës se kur mund të ketë një marrëveshje përfundimtare Thaci tha se nuk mund të dihet, por që janë duke punuar që të ndodh sa më shpejt që është e mundur.

Thaçi: Nuk vjen në shprehje të nënshkruhet diçka që nuk nënkupton njohjen reciproke

“Asnjë marrëveshje nuk ka kuptim me Serbinë dhe nuk vjen në shprehje nga ana ime të nënshkruhet diçka që nuk nënkupton njohjen reciproke, vetëm me një marrëveshje të tillë mund të lëvizim përpara. Diçka tjetër për mua është e papranueshme, e panevojshme dhe vetëm humbje e kohës. Sa i përket periudhave kohore se kur mund të arrihet marrëveshja mendoj se të jeni të sigurt askush, as unë, as Vuçiq, as në Bruksel nuk mund ta parashikoj datën apo javën. Por, ne po përpiqemi që të mos i humbim edhe dy dekada në raportet tona të ngrira apo të kësaj status. Por të arritur një marrëveshje në kohë të përshtatshme kur kemi fokusimin e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, për Serbinë, për rajonin. Prandaj, sa më shpejt më mirë është për dy vendet, për gjithë popujt tonë”, tha ai.

Në pyetjen se çka fiton Serbia nëse arrin marrëveshje me Kosovën dhe jep Luginën e Preshevës, presidenti është përgjigjur se më së paku atij i intereson se çka fiton Serbia.    

Madje ai tha se nuk është fare shqetësim për të.

Thaci: Është shqetësimi më i vogël i imi ose fare shqetësim çka fiton Serbia.

“Marrëveshja do të jetë e një kompromisi, është në interes të jetë fituese për Kosovën dhe për Serbinë dhe investimet e bashkësisë ndërkombëtare, por unë jam i fokusuar çka fiton Kosova, nuk jam i interesuar se çka kërkon Serbia. Nuk e kam shqetësimin e Serbisë, të jem i sinqertë. Prandaj, edhe shqetësimin që dëgjoj aty këtu po Serbia çka po fiton, të them të drejtën është shqetësimi më i vogël i imi ose fare shqetësim. Prandaj, edhe mesazhi im miqësor është mos u shqetësoni çka fiton Serbia, me rëndësi është fokusohuni çka fiton Kosova, e Kosova fiton shumë. Fiton NATO, fiton Bashkim Evropian, fiton njohjen nga Serbia, fiton njohjen nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian, fiton anëtarësimin në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, fiton njohjen globale”, është shprehur presidenti Thaçi.

Thaçi ka përmendur edhe mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Neë York, duke thënë se do të punojë maksimalisht për të vënë kontakte, si dhe tha se do të punojnë më tepër për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe në UNESCO.

Thaçi e përsërit: Nuk ka ndarje, nuk ka shkëmbim të territorit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ritheksuar edhe një herë se nuk do të lejojë ndarje të Kosovës, por as shkëmbim të territorit.

"Nuk do të lejoj ndarje të Kosovës, nuk do të lejoj krijimin e Asociacionin me kompetenca ekzekutive, nuk lejoj shkëmbim. Unë jam në favor të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovës. Në asnjë rrethanë nuk do të lejojë të diskutohet për Trepçën, Ujmanin", tha presidenti në një konferencë për media që ka mbajtur sot.

Ai tha se marrëveshja me Serbinë është në interes të të dy vendeve por edhe ka ndikim pozitiv për rajonin.

“Mirëpo procesi është i ndjeshëm, kompleks dhe i debatueshëm. Kështu që në kuadër të opinioneve mund të krijohen edhe divergjenca pro apo kundër marrëveshjes. Unë e respektoj si diçka shumë legjitime. Por, ajo që është me shumë rëndësi është se të gjithë janë për dialog dhe të gjithë do ta mirëpriste një marrëveshje në mes dy shteteve. Në kuadër të kësaj kam takuar edhe presidentin e Shqipërisë Ilir Meta dhe presidentin e Malit të Zi, kryeministrit e Maqedonisë. E theksoj që edhe Shqipëria si vend fqinj edhe Maqedonia e Mali i Zi e mbështesin dialogun dhe do ta mbështetnin dialogun. Mund të them lirisht që tani marrëveshja e mundshme paqësore që mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë po merr mbështetje të jashtëzakonshme. Sa më shpejt që të arrihet marrëveshja aq më mirë është", tha Thaçi.

Por sipas tij kjo marrëveshje nuk do të jetë e lehtë të arrihet.

Sipas Thaçit ky proces nuk do të jetë i lehtë sepse është demarkimi apo korrigjimi i kufirit.

Sipas tij korrigjimi i kufirit është i mundshëm dhe i jep njohje Kosovës dhe bashkimin e luginës së Preshevës me Kosovën.

Thaqci tha se njohja nga shteti serb nënkupton njohjen e menjëhershme të  5 vendeve.

“Prandaj, respektoj në plotëni kërkesën e liderëve të Luginës si dhe kërkesa është legjitime. Prandja është shumë e rëndësishme që ekipi negociator i Kosovës të filloj punën, të krijoj një unitet. Unë dua të besoj që në të ardhmin do të kemi veprime më të shpejta", tha ai.

Thaçi është pyetur nëse është në dijeni se koalicioni qeveritar dëshiron të dërgoj në Kuvend projektligjin për transformimin e FSK-së.

Ai tha se nuk është në dijeni për këtë por sqaroi se propozimi i tij i para një viti dallon nga rrethanat aktuale.

" Kur unë e kam propozuar ka qenë kohë kur e kemi pas përkrahjen e SHBA dhe NATO-s. Tash rrethanat janë ndryshe", tha Thaçi.

I pyetur se kur do të vizitojë liqenin e Ujmanit që gjendet në veri, Thaçi tha se do të shkoj kur të jetë në disponim. Ndërsa tha se është prej të vetmit që kam qenë në veri.

"Unë kam qenë në veri edhe më herët, kur të jem i disponueshëm shkoj. Jam prej liderëve të pakët që kam shkuar në veri, kam vizituar pikat doganore", tha presidenti.

Hashim Thaçi: Njohja nga Serbia e heq veton ruse

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se demarkimi i kufirit me Serbinë nënkupton njohje të Kosovës nga Serbia dhe zhbllokim të njohjeve ndërkombëtare të vendit.

Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, Thaçi tha se një marrëveshje e Kosovës me Serbinë është duke fituar mbështetje rajonale e ndërkombëtare.

Këto komente Thaçi i bëri pas një turi vizitash që bëri dy ditët e fundit në Podgoricë e Shkup.

“Nuk mund të ketë njohje reciproke pa përmbylljen e demarkimit të kufirit. Korrigjimi i kufirit i mundëson Kosovës njohje nga Serbia, automatikisht, dhe bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën si dhe njohjen e Kosovës nga 5 vendet e BE-së. Njohja nga Serbia nënkupton edhe heqjen e vetos ruse”, tha Thaçi.

“Të gjithë janë për dialog, të gjithë janë për negociata dhe të gjithë do ta mirëprisnin një marrëveshje”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat