Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon procedurën finale për liberalizimin e vizave

Aktuale

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon procedurën finale për liberalizimin e vizave

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 13 shtator 2018 Në ora: 17:33
Ilustrim

Parlamenti Evropian sot votoi me shumicë votash rekomandimin e Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thotë se, miratimi nga Parlamenti Evropian është ndër hapat më të rëndësishëm në procesin e liberalizimit të vizave.

Fetoshi pas kësaj, tregon për procedurat e ardhshme deri në hapin përfundimtar kur qytetarët e Kosovës, do të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian.

Image
Arben Fetoshi

“Pas kësaj, procedura do të vazhdojë me shqyrtimin nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm – COREPER, që është trup parapërgatitor për Këshillin dhe me negociatat ndërinstitucionale të Komisionit, Parlamentit e Këshillit, për të arritur një marrëveshje të pranueshme për Këshillin dhe Parlamentin. Hapi i ardhshëm vendimtar sa i përket procedurës është miratimi në Këshillin e Ministrave të BE-së, ku kërkohet unanimitet ose votë e kualifikuar që përfaqëson së paku 65 përqind të popullsisë së BE-së”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi për gazetën “Bota sot”.

Sipas profesorit, në qoftë se vendimi final nuk do të diktohet nga kalkulime të tjera politike, atëherë s’ka arsye të ketë vonesa.

“Deri në fund të vitit ka kohë të mjaftueshme për të gjithë hapat që kanë mbetur sa i përket procedurës. Vlerësimi për përmbushjen e të gjitha kritereve është tejet i rëndësishëm, mirëpo kjo s’duhet në asnjë mënyrë të kthehet në komoditet dhe pritje”, pohon ai.

“Rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit si kriter i fundit duhet të kuptohen si obligim sistematik dhe në instancën e fundit, kjo s’duhet konceptuar vetëm si kriter, por para së gjithash si interes i qytetarëve për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë”, përfundon profesori Arben Fetoshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat