Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur për protestën që po organizon partia e tij, për të penguar planet e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjim kufijsh” me Serbinë.
Selimi ka thënë në emisionin , se pret që Lidhja Demokratike e Kosovës të ndryshojë qëndrim, pas përgjigjes negative që ajo dha sot pasdite ndaj ftesës së VV-së.
“Nuk më dhemb mua më pak sesa një anëtari të LDK-së ajo që po i ndodh Kosovës”, është shprehur Selimi.
“Aq sa më dhemb mua, i dhemb edhe çdo anëtari të LDK-së, kam përshtypjen. Edhe anëtarëve të PDK’së ndoshta”, ka deklaruar ai.
Selimi ka thënë se VV ende nuk ka caktuar datën për mbajtjen e protestës kundër Thaçit.
“Kemi dhënë disa orientime, por kemi kërkuar që ta bëjmë bashkë (me partitë opozitare v.j.)”, ka theksuar ai.
“Në një kohë relativisht të përshtatshme, qoftë fundi i kësaj jave, qoftë fundi i javës tjetër”, ka shtuar Selimi.
Ai ka bërë të ditur se nesër do të mblidhet Kryesia e Vetëvendosjes, për të diskutuar për protestën, pas përgjigjes negative të marrë nga LDK-ja.
“Nesër mblidhet Kryesia e Vetëvendosjes, mund të jepet data për protesta”, ka thënë Selimi.
“Pres që LDK të reflektojë. Nuk e kam pritur përgjigjen negative”, është shprehur ai.