Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe avokatëve mbrojtës, në çështjen e të akuzuarve Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Faton Topalli.
Aktgjykimi i gjykatës së shkalles se parë, i datës 03.01.2018, është vërtetuar.
Të akuzuarit janë shpallur fajtor dhe janë dënuar nga ana e gjykatës së shkalles se parë dhe atë:
Albin Kurti me 1 vjet e 6 muaj burgim, për shkak të veprave penale në vazhdimësi “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni nga neni 375 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprën penale në vazhdimësi “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 409 par.5 lidhur me par.1 të këtij kodi.
Për të njëjtat vepra Albulena Haxhiu është dënuar më 1 vjet e 3 muaj burgim, Donika Kadaj-Bujupi me 1 viti e 6 muaj, ndërsa Faton Topalli 1 vjet e 2 muaj.
Dënimet e shqiptuara me burgim kundër të gjithë të akuzuarve nuk do të ekzekutohen nëse në periudhën kohore prej 2 (dy) vitesh të akuzuarit nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.
“Gjykata e Apelit konstaton se aktgjykimi në fjalë nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë dhe se nuk përmban as shkelje të Ligjit Penal, e që do të kushtëzonte anulimin e aktgjykimit”, thuhet në një pjesë të njoftimit për media.
Po ashtu duke shqyrtuar çështjen përkitazi me vendimin për dënim, Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe mbrojtjes nuk janë të bazuara.