Opozita nuk përkrah pozitën në Komisionin për Bujqësi

Aktuale

Opozita nuk përkrah pozitën në Komisionin për Bujqësi

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 14:27
Pamje nda mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor

Pozita dhe opozita nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët përveç në seanca, as në komisionet parlamentare.

Bojkoti i punës së pozitës nga partitë opozitare ka vazhduar edhe në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor gjatë shqyrtimit të Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Derisa anëtarja e këtij Komisioni, Ganimete Musliu nga PDK propozoi që të formohet një Grup Punues për hartimin e rekomandimeve për projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, dy deputetë nga opozita- deputetja Besa Gaxherri nga LDK dhe Salih Zyba nga Vetëvendosje kundërshtuan të bëhen pjesë e këtij Grupi si dhe të votojnë për këtë projektligj.

Kjo për shkak të çështjeve politike të ndodhura së fundit për mos thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për rezolutën- dialogu me Serbinë.

Deputetja Musliu ka kërkuar të formohet një Grup punues i cili do ta analizoj nen për nen projektligjin në fjalë, dhe pastaj të procedohet në seancë parlamentare.

Kurse deputetja Gaxherri ka thënë se ky projektligj është i domosdoshëm sepse viteve të fundit vendi është përballur me ndotje të madhe të ajrit, mirëpo ajo refuzoi të bëhen pjesë e Grupit Punues dhe të marrë pjesë në votim.

Deputeti PSD-së Salih Salihu kërkoi mirëkuptim nga dy partitë opozitare që të bëhen pjesë e Grupit punues.

Komisioni me gjashtë vota pro votoi deputetin  Salihu kryesues të Grupit Punues, për anëtarë u votuan  Ganimete Musliu, Muharrem Nitaj, Danush Ademi.  Komisioni mori gjashtë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Anëtarët e tjerë nga LDK dhe VV nuk morën pjesë në votim.

Ndërsa, përfaqësuesja e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Nezafete Hakaj tha se projektligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja  ka për qëllim që çdo qytetar të jetojë me mjedis dhe ajër të  pastër, dhe se ky projektligj është në harmoni me normat dhe direktivat e BE-së.

Komisioni ka shqyrtuar edhe Planin e punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018, mirëpo edhe për këtë pikë pati kundërshti nga partitë opozitare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat