Flet avokati i Milaim Zekës

Aktuale

Flet avokati i Milaim Zekës

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 12:05
Milaim Zeka

Gazmend Halilaj, avokat i deputetit të arrestuar, Milaim Zeka ka vlerësuar se vendimi për caktimin e ndalesës prej 48 orëve për klientin e tij është i pabazuar.

Halilaj  ka thënë se deputeti i arrestuar nuk ka pasur ndonjë synim për ta kërcënuar prokurorin Shefkiu, por nuk e ka formuluar mirë fjalinë.

Sipas avokatit, Zeka ka dashur të thotë se do ta padisë prokurorin e rastit që ka ngritur aktakuzë për manipulimet me viza.

“Vendimi është komplet i pabazuar në dispozita ligjore dhe gjendjen faktike. Në bazë të nenit për kanosjen ajo duhet të jetë kundër jetës dhe trupit dhe serioze në mënyrë që duhet ta bind të dëmtuarin që do t’i ndodhë një e keqe. Në këtë rast këto nuk kanë ndodhur”, tha fillimisht Halilaj.

“Tutje Zeka kur ka thënë do ta ndjek privatisht ka aluduar se do ta padis, por pasi nuk është profesionist i të folmes së mirë nuk është njohës i kësaj teme, nuk ka mundur ta formulojë mirë fjalinë”, deklaroi avokati i Milaim Zekës.

Sipas Halilajt, vendimi i Prokurorisë është i gabuar, pasi masa e ndalimit është masë e fundit për raste të tila.

Ai është shprehur i bindur se Gjykata do ta lë të lirë deputetin e Nismës.

“Kjo masë jepet vetëm si masë e fundit, dhe në këtë rast është aplikuar si e para. Besoj që gjykata do ta refuzojë këtë vendim dhe ai do të lejohet i lirë”, ka përfunduar avokati i Milaim Zekës.

Ndryshe deputeti i Nismës ditë më parë kishte thënë se me prokurorin Shefkiu do të merret privatisht, duke përmendur edhe Kanunin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat