Isa Mustafa: LDK po bëhet gati për qeverisjen e vendit, në dialog s’i bashkohemi Thaçit

Aktuale

Isa Mustafa: LDK po bëhet gati për qeverisjen e vendit, në dialog s’i bashkohemi Thaçit

Nga: N.H Më: 5 tetor 2018 Në ora: 13:46
Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se nga ky muaj kanë filluar të intensifikojmë punën me organizatat vendore të LDK-së.

Mustafa thotë se po diskutojnë për prioritetet, në komuna dhe në nivel qendror, për ndryshimet që duhet të ndodhin, në mënyrë, siç thotë ai, që Kosova të qeveriset mirë e pa korrupsion, përcjell "Bota sot".

Ndërsa, sa i përket dialogut, kreu i LDK-së thekson se partia e tij e ka thënë qartë se tani e në asnjë rast nuk do të bëhen pjesë e dialogut me Serbinë, as në ekipin e Presidentit dhe as të Qeverisë.

Ja postimi i plotë i Mustafës:

Të nderura veprimtare dhe veprimtarë të LDK-së

Nga ky muaj kemi filluar të intensifikojmë punën me organizatat vendore të LDK-së. Po diskutojmë për prioritetet, të cilave duhet tu përmbahemi si LDK në komuna dhe në nivel qendror, për ndryshimet që duhet të ndodhin, në mënyrë që Kosova të qeveriset mirë e pa korrupsion. Po shkëmbejmë mendime me strukturat dhe anëtarësinë e LDK-së për temat me rëndësi të veçantë për Kosovën. Po bëhemi gati ta rimarrim qeverisjen e vendit, duke ofruar zgjidhje evropiane për proceset që na presin. 

Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar LDK doli bindshëm parti e parë. Të gjitha sondazhet e këtij viti, po ashtu, flasin se kemi besimin më të madh të qytetarëve. Por kjo nuk e mbron LDK-në nga marrëveshjet e fshehta dhe manipulimet që mund ti bëjë PDK në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj duhet të punojmë shumë me anëtarësinë dhe qytetarët për ta shtuar besimin e tyre në fitoren tonë të përbashkët. 

LDK e ka thënë qartë se tani në asnjë rast nuk do të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë, as në ekipin e Presidentit dhe as të Qeverisë. Do të punojmë që zgjedhjet e parakohshme të ndodhin sa më shpejtë, sepse LDK ndan bindjen e pjesës dërmuese të qytetarëve të Kosovës se qeverisja e tanishme e vendit është e dëmshme për Kosovën dhe ardhmërinë e saj. Deri në shpartallimin e këtij koalicioni, LDK nga këndi i opozitës do të mbroj interesat e vendit, në bashkëpunim edhe me partitë e tjera që i qëndrojnë besnike opozitarizmit. IM

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat