Jep dorëheqje David Phillips: Nuk mund të marrë pjesë në planin e ndarjes së Kosovës

Aktuale

Jep dorëheqje David Phillips: Nuk mund të marrë pjesë në planin e ndarjes së Kosovës

Nga: A.ZH Më: 11 tetor 2018 Në ora: 21:27
David Phillips

Eksperti i Politikës së Jashtme, David Phillips, njëherësh këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i angazhuar nga Hashim Thaçi, ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë.

Ai ka thënë se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, është alternativa më e keqe për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

Philips ka theksuar se korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit të Kosovës, duke e quajtur këtë ide të rrezikshme, destabilizuese dhe që mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë.

Ai ka thënë se nuk mund të merrë pjesë në planin e ndarjes së Kosovës, pasi kjo bie në kundërshtim me vlerat e tij, përcjell Bota sot.

“Unë nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar të ndarjes që ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e mia. Si parim i kam informuar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë këtë dorëheqje, që të mos marrë pjesë në ndarje”, thuhet në letrën e David Philips, të dorëzuar sot.

Sipas Philips, ithtarët e korrigjimit të kufijve besojnë se mos-njohësit e BE-së do të pranonin një Kosovë të rikonfiguruar dhe se SHBA-ja mund ta bindë Rusinë dhe Kinën që të heqin kundërshtimin e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Mirëpo, ai ka thënë se nuk ka bazë për një përfundim të tillë.

Lexoni të plotë deklaratën e dorëheqjes së Phillipsit:

Unë kam punuar për pavarësinë e Kosovës mbi tridhjetë vjet, si zyrtar amerikan në Capitol Hill, në ‘think-tanks’ si Këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë, si dhe studiues në Universitetin Kolumbias. Qeveria e Kosovës së fundmi më ka kërkuar të shërbeja si këshilltar në dialogun Kosovë-Serbi. U pajtova sepse besoja se mund të arrihej një marrëveshje duke e fuqizuar pushtetin, duke rritur sundimin e ligjit dhe duke rritur presionin nga bashkësia ndërkombëtare në Serbi për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktual.

Disa në institucionet e Kosovës po ndjekin një rrugë tjetër. Ata pranojnë korrigjimin e kufijve, duke dhënë territor në Serbi.

Unë besoj se ndarja apo korrigjimi i kufijve është marrëveshje e keqe, e cila nuk do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë apo do ta vendoste Kosovën në një pozicion për të fituar njohje më të madhe globale. Ithtarët e korrigjimit të kufijve besojnë se mos-njohësit e BE-së do të pranonin një Kosovë të rikonfiguruar dhe se SHBA-ja mund ta bindë Rusinë dhe Kinën që të heqin kundërshtimin e tyre ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB. Nuk ka bazë të njohur për këtë përfundim.

Për më tepër, korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit kosovar. Ajo minon parimet demokratike të multikulturalizmit dhe pluralizmit politik për të cilin shumë prej tyre kanë vdekur në Ballkanin Perëndimor.

Është potencialisht e rrezikshme, destabilizuese dhe mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë.

Unë nuk mund të marrë pjesë në planin e propozuar të ndarjes që ka të meta strategjike dhe në thelb kundërshton vlerat e mia. Si parim i kam informuar edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës për synimin tim për të dhënë këtë dorëheqje, që të mos marrë pjesë në ndarje.

David L. Phillips

Prishtinë, Kosovë

11 Tetor 2018

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat