Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, tani kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, pohon se po të ishte kryeminsitër i koalicionit aktual qeverisës do të jepte dorëheqje. Tërheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita udhëheqëse e dialogut me Serbinë për ta lënë në duart e Hashim Thaçit e sheh si të gabuar. Mendon se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, sepse siç shprehet, koalicioni dhe opozita kanë vështirësi të mëdha.
I pyetur nëse Nisma do t’i ndihmojë opozitës për rrëzimin e qeverisë, Krasniqi thotë se partia e tij do të jetë aty ku është interesi i shtetit dhe i qytetarëve.
Më tej, Krasniqi thotë se ka gjasa që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodh deri në fund të këtij viti.
Ndërsa, sa i përket ministrave me aktakuza në Qeverinë Haradinaj, shprehet skeptik në sistemin e drejtësisë, por thotë se kabineti qeveritar duhet të jetë i përbërë nga njerëz të përgjegjshëm.