LDK kërkon aleat brenda koalicionit qeverisës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Aktuale

LDK kërkon aleat brenda koalicionit qeverisës për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 14:50
LDK në Kuvend

Qeveria aktuale e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, për Lidhjen Demokratike të Kosovës e ka humbur legjitimitetin e saj. Prandaj, kjo parti konsideron se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme brenda këtij viti.

Deputeti Ismet Beqiri tha se presin edhe nga deputetë të koalicionit, që, sipas tij, janë të pakënaqur me këtë qeveri, ta votojnë mocionin e propozuar nga LDK-ja.

“LDK-ja tani i ka nënshkrimet e gatshme, kjo gatishmëri është shprehur edhe nga VV dhe PSD. Tani do të përgatitet edhe teksti i mocionit dhe po mbajmë kontakte edhe me të gjithë ata që janë në koalicionin qeverisës, e që janë të pakënaqur, që t`i bashkohen këtij mocioni dhe të na përkrahin për rrëzimin e kësaj qeverie”, tha Beqiri, për Radio Kosovën.

Por, deputetja Time Kadrijaj, e cila vjen nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja, thekson se Qeveria aktuale po tregohet e suksesshme në punën e saj.

Madje, ajo shprehet se ky koalicion do ta dërgojë mandatin deri në fund.

“Koalicioni qeverisës është stabil dhe qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj është duke punuar mirë. Pra, ka rezultate që shihen dhe që e prekin qytetarin e Kosovës. Po punohet në liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në shumë tema të rëndësishme”, tha Kadrijaj.

Mirëpo, Ismet Beqiri, nga LDK-ja, thekson se koalicioni qeverisës tashmë e ka humbur edhe shumicën në Kuvend dhe nuk ka më forcë politike për të marrë vendime, çfarëdo qofshin ato.

“Është një koalicion i pakicës, në kuptimin e numrave në Kuvend. Aktualisht raporti është 58 deputetë me 42, në favor të opozitës. Kur flasim nga 100 deputetë shqiptarë dhe kur i marrim edhe pakicat, këta tash e kanë një shumicë të brishtë, e që në fakt nuk e kanë as këtë shumicë. Kjo do të thotë se ky koalicion nuk është në gjendje që të marrë asnjë vendim, madje as të mbajë seanca”, tha ai.

Ndërkohë, LDK-ja si partia më e madhe opozitare, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në asnjë seancë, derisa nuk procedohet për seancë kërkesa e tyre për rezolutën e opozitës për dialogun Kosovë – Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat