Prokuroria do e plotësojë aktakuzën për veteranët dhe do e dërgojë përsëri në Gjykatë

Aktuale

Prokuroria do e plotësojë aktakuzën për veteranët dhe do e dërgojë përsëri në Gjykatë

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 21:11
Foto ilustruse

Ditë më parë, Gjykata Themelore ia ka kthyer prapa Prokurorisë aktakuzën e ngritur kundër 12 të pandehurve për përpilimin e listëve të veteranëve.

Sipas njoftimit të Gjykatës, aktakuza e Prokurorisë nuk është përpiluar konformë nenit 241 dhe si e tillë ajo i është kthyer për përmirësim  dhe qartësim Prokurorisë Speciale.

Këtë kërkesë të Gjykatës e ka pranuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Në një prononcim  ushtrues i Detyrës së Udhëheqësit të Zyrës për Komunikim Publik në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Ekrem Lutfiu ka thënë se Prokuroria do veprojë në bazë të kërkesës së Gjykatës dhe do përmirësojë dhe qartësojë ato që i janë kërkuar.

“Ju njoftoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kërkesën e Gjykatës për plotësim të aktakuzës. Prokuroria do të veproj në bazë të kërkesës së Gjykatës, si dhe, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, ka thënë Lutfiu.

Si e tillë,  ai ka thënë se do e dërgojnë përsëri aktakuzën brenda afateve të përcaktuara nga Gjykata.

“Përgjigja në kërkesat e Gjykatës do të jepet brenda afateve të përcaktuara nga Gjykata”, ka thënë më tej ai.

Ndryshe, Prokuroria ka ngritë aktakuzë ndaj Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat