SHBA, studim mbi vrasjet nga policia

Amerika

SHBA, studim mbi vrasjet nga policia

Më: 25 korrik 2016 Në ora: 20:51
ilustrim

Një debat i ndezur dhe i paparashikueshëm po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara mbi tezën se jeta e afrikano-amerikanëve nuk ka aq vlerë sa ajo e të bardhëve. Ekspertët e shëndetit publik thonë se bazuar në statistikat e kufizuara që disponohen, kjo mund të jetë e vërtetë. Për të ndalur vrasjet, dhuna me armë duhet të trajtohet dhe studiohet si çdo çështje tjetër e shëndetit publik.

Nga San Francisco, në Çikago, e deri në Atlanta dhe qytete tjera, protestuesit po bëjnë thirrje për drejtësi për dy afrikano-amerikanët e vrarë nga policia, një në Luiziana, tjetri në Michigan.

Në një protestë në Minesota, disa protestues hodhën fishekzjarre në drejtim të policisë, duke plagosur njëzet e një prej tyre.

Ndërkohë, në një shërbesë përkujtimore në Dallas, për pesë policët e vrarë, Presidenti Obama iu drejtua me një fjalim vendit të tronditur nga tensionet racore dhe vrasjet.

"Jam këtu për të insistuar se ne nuk jemi aq të përçarë sa ç’duket."

Lëvizja e komunitetit afrikano-amerikan, Black Lives Matter u krijuar si rezultat i vrasjeve të të rinjve afrikano-amerikanë, shumica nga policia, dhe nuk bëhet fjalë thjeshtë për një perceptim.

Një studim i Universitetit të Harvardit krahason vdekjet e meshkujve afrikano-amerikanë të shkaktuara nga policia me ato të meshkujve të bardhë duke filluar nga mosha 15 vjeç. Profesorja Nancy Krieger foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

"Meshkujt afrikano-amerikanë në krahasim me meshkujt e bardhë ishin nga pesë deri në 19 herë në rrezik më të madh nga vdekjet e klasifikuara si të lidhura me forcat e rendit".

Profesorja Krieger e quan ndryshimin "absolutisht gjigant" dhe sipas saj ai nënkupton se disa prej këtyre vdekjeve janë të parandalueshme. Studimi bën thirrje për trajtimin e vrasjeve nga policia si çështje të shëndetit publik.

"Kjo ka pasoja të mëdha për shëndetin publik në aspektin e vdekshmërisë, traumave, dhe ndikimit tek familjet dhe komunitetet e përfshira," thotë Prof. Krieger.

E dashura e Sterling Alton, i vrarë nga policia në Baton Rouge të Luizianës, foli plot emocione mbi këtë çështje në një konferencë shtypi.

"Individët e përfshirë në vrasjen e tij, i lanë pa baba fëmijët, që mbështeteshin tek ai".

Për trajtimin e këtij problemi si çështje të shëndetit publik, këto vrasje do të duhet të regjistroheshin dhe analizoheshin. Për momentin kjo nuk bëhet. Asnjë agjenci federale e shëndetit publik nuk i mbledh këto të dhëna. Këto agjenci nuk marrin fonde për studimin e këtyre vrasjeve.

"Ne jemi në një pikë ku na mungojnë madje edhe të dhënat bazë që e përshkruajnë problemin; kjo nuk është e pranueshme," thotë Prof. Krieger.

Studimi i drejtuar nga profesorja Krieger bën thirrje që vrasjet e shkaktuara nga policia së pari të futen në një regjistër zyrtar të dhënash, në mënyrë që ato pastaj të mund të studiohen për të mësuar se si mund të parandalohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat