Brazil: Notuesit amerikanë mund të akuzohen për dëshmi të rrejshme

Amerika

Brazil: Notuesit amerikanë mund të akuzohen për dëshmi të rrejshme

Më: 19 gusht 2016 Në ora: 09:15
Pjesëtarë të policisë së Brazilit në sigurim të objekteve ku zhvillohen Lojërat Olimpike

Policia e Brazilit thotë se katër notuesit e Shteteve të Bashkuara në Lojërat Olimpike në Rio-de-Zhanejro, mund të akuzohen për vandalizëm dhe dhënie të dëshmisë së rrejshme, pasi ata janë të dyshuar për gënjim se janë plaçkitur në një pompë të benzinës në Rio.

Policia, herët në mëngjes më 14 gusht, ua ka konfiskuar pasaportat tre prej katër notusve amerikanë të përfshirë në incident, duke i parandaluar ata që të largohen nga Brazili, derisa të përfundojnë hetimet.

Kampioni në not, Ryan Lochte, është kthyer në Shtetet e Bashkuara një ditë pas incidentit.

Shefi i policisë civile në Rio-de-Zhanejro, Fernando Veloso, tha se “ata mund të mbahen përgjegjës, njëri ose dy ose të katërtit, se kanë raportuar në mënyrë të rrejshme për krim dhe vandalizëm”.

Zoti Veloso ka thënë se kamerat e sigurisë në pompën e benzinës tregojnë se atje nuk ka pasur plaçkitje, por konflikt me rojet e sigurisë në këtë pompë, të cilët kanë kërkuar që notuesit amerikanë të paguajnë për dëmin që dyshohej se është bërë nga notuesit në banjo.

Televizioni i Brazilit e ka transmetuar videon e zhvillimeve në pompën e benzinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat