Kapelani mysliman i ushtrisë amerikane

Amerika

Kapelani mysliman i ushtrisë amerikane

Më: 21 gusht 2016 Në ora: 17:21
Ushtarët amerikan

Kandidati republikan për president Donald Trump shkaktoi një furtunë mediatike gjatë polemikave me familjen e një ushtari mysliman që ka dhënë jetën për vendin. Ndërkohë, larg vëmendjes mediatike, mijëra ushtarakë myslimanë amerikanë janë duke i shërbyer vendit të tyre pa bërë zhurmë.

Në kujtim të viktimave të 11 shtatorit është ngritur një faltore në brendësi të Pentagonit, pikërisht aty ku ekstremistët islamikë sulmuan godinën 15 vite më parë.

Aty tashmë dëgjohet thirrja myslimane për faljen.

Dawud Agbere është një ndër pesë kapelanët myslimanë të ushtrisë. Që kur u caktua në Pentagon, ai udhëheq faljen e pasdites duke u ofruar bashkëbesimtarëve mundësinë e lidhjes me Krijuesin.

“Na ka bashkuar si komunitet dhe na ka mundësuar vendin ku të vijmë çdo ditë për t’u falur; është një gjë shumë e madhe,” thotë punonjësja e Pentagonit, Habiba Heider.

Zoti Agbere nuk është një nënkolonel tipik. Ai është lindur dhe rritur në Gana, në Afrikën Perëndimore.

“Im atë përpiqej të më fuste si kapelan në ushtrinë e Ganës. Por, pastaj fitova llotarinë amerikane... Ndërsa rritesh në Afrikë, jo vetëm në Gana, Amerika është toka e begatisë. Është vendi ku shkon dhe ja del mbanë,” kujton ai.

Por, pasi u dha mësim për disa muaj fëmijëve të shkollave të mesme, ai vendosi se i nevojitej më shumë disiplinë dhe rregull.

“Me shumë lehtësi u bëra pjesë e ushtrisë; si në shtëpinë time,” thotë zoti Agbere.

Karriera e tij ushtarake e ka çuar në zona lufte në Afganistan dhe Irak. Duke qenë shpesh i vetmi mysliman në njësinë e tij, zoti Agbere thotë se ka punuar të bashkojë kulturat e ndryshme.

“Kur më shohin mua në këtë unifomë,... nuk u shkon mendja se ka myslimanë në SHBA, jo më në Ushtrinë e SHBA-së. Dhe kur më shohin, shokohen, por edhe lumturohen,” thotë nënkoloneli Agbere.

Në shtëpi, zoti Agbere u mëson fëmijëve vlerat e Islamit dhe rëndësinë e karakterit.

“Na thotë se megjithëse mund të marrim nota të mira, pa karakterin ato nuk do të thonë asgjë,” thotë i biri, Tilahta Agbere.

Ndërkohë që po zhvillohet debati politik rreth propozimit për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në SHBA, zoti Agbere i mëson familjes së tij të jenë të sjellshëm me të tjerët.

Si kapelan në ushtri, ai i ka shërbyer Amerikës për dy dekada, por ai nuk i gjykon ata që janë përpjekur të përgojojnë fenë e tij.

“Pa diskutim që disa prej këtyre gjërave vijnë prej injorancës dhe unë e shikoj këtë si një mundësi për t’i mësuar njerëzit... Pra, unë dua të vazhdoj progresin dhe të përkufizoj ngjarjen time; jo të më përkufizojnë ngjarjet mua,” thotë ai./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat