Kerry kërkon zonë të ndalim-fluturimeve në disa hapësira në Siri

Amerika

Kerry kërkon zonë të ndalim-fluturimeve në disa hapësira në Siri

Më: 21 shtator 2016 Në ora: 19:07
John Kerry gjatë fjalimit të tij të sotëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka thënë se të gjithë aeroplanët në disa pjesë të veriut të Sirisë duhet të ulen, me qëllim që të arrihet një armëpushim i besueshëm në këtë hapësirë.

Mëtutje, gjatë fjalimit të tij të sotëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, zoti Kerry tha se beson se ka mënyrë për të mos ndodhë “masakra” në Siri dhe theksoi se zona e ndalim fluturimeve mund ta ripërtrijë kredibilitetin e përpjekjeve për përfundimin e luftës civile në këtë vend dhe për të lejuar që ndihmat humanitare të arrijnë te njerëzit që jetojnë në hapësirat e rrethuara.

Këto komente u bënë në periudhën kur marrëveshja për armëpushim, e ndërmjetësuar më 19 shtator, nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, është shkatërruar, ndërsa të dy palët e akuzojnë njëra-tjetrën se nuk i kanë plotësuar parimet e marrëveshjes.

John Kerry tha se është e nevojshme që forca ruse dhe ajo e qeverisë së presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, t’i ulin aeroplanët e tyre.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha në këtë seancë të sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se Rusia dhe Siria nuk do të marrin pjesë në ndonjë “pauzë të njëanshme”, pasi sipas tij, grupet opozitare që luftojnë kundër regjimit sirian, e kanë shfrytëzuar atë për riarmatosje dhe forcim të pozicioneve të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat