U akuzua për vrasjen e gruas, bëri 24 vjet burg – kjo është historia rrëqethëse!

Amerika

U akuzua për vrasjen e gruas, bëri 24 vjet burg – kjo është historia rrëqethëse!

Më: 31 tetor 2016 Në ora: 12:36
Christine Morton me burrin dhe djalin

Çdo grua duhet të ndihet e sigurt në shtratin e saj, ndaj lajmi për Christine Morton, e cila ishe vrarë brutalisht teksa flinte, kishte shokuar komunitetin e Austin, Teksas. Nëna e devotshme ndodhej në shtrat, ndërsa djali i saj 3-vjeçar flinte në dhomën ngjitur kur u sulmua me mjete të forta deri në vdekje.

Bashkëshorti i saj, Michael këmbënguli se Christine, 31 vjeçe ishte gjallë kur ai u largua për në punë, në mëngjes herët. Por policia nuk e besoi. Michael u akuzua për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Teksa ai dergjej pas hekurave të burgut duke këmbëngulur në pafajësinë e tij, një tjetër nënë, pak metra më tej shtëpisë së tij, u masakrua për vdekje teksa flinte në shtrat. Koincidencë? Apo provë se kishte pasur një gabim të madh nga drejtësia?

Christine, 31 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Michael jetonin në Austin me djalin e tyre, Eric.

Michael ishte menaxher i një dyqani ushqimoresh, ndërsa Christine ishte shtëpiake. Ata ishin një çift i zakonshëm që sapo kishin nisur të ndërtonin familjen e tyre.

Më pas, në orët e para të mëngjesit të 13 gushtit 1986, Christine u sulmua mizorisht. Ajo u goditi nga një send i fortë i paidentifikuar të paktën 8 herë deri në vdekje. Kur një fqinje dëgjoi të qarat e fëmijës 3-vjeçar, shkoi të kontrollonte dhe gjeti Christine të mbuluar nga gjaku në shtratin e saj. Ishte një sulm i egër, ku fëmija 3-vjeçar kishte qenë pjesërisht dëshmitar. Në shtëpi mungonte vetëm arma e familjes. A ishte motivi i sulmit grabitja? Policia nuk ishte e sigurt.

Michael, në atë kohë 32 vjeç, rrëfeu se kur ai ishte larguar për në punë, rreth orës 5.30 të mëngjesit, bashkëshortja e tij ishte ende gjallë, por hetuesit ishin të bindur se ajo ishte vrarë përpara kësaj ore.

Image

 

 

Gjashtë javë pas ngjarjes, Michael u arrestua dhe u akuzua për vrasjen e Christine. Ai nuk kishte precedentë të mëparshëm kriminalë, as histori dhune apo ndonjë motiv specifik që mund të çonte deri në këtë pikë. Eric i vogël tha në atë kohë se kishte parë një ‘monstër’ të sulmonte nënën e tij dhe se ai kishte mustaqe. Një fqinj gjithashtu kishte rrëfyer se kishte parë një makinë të panjohur në zonë. Por për arsye të panjohura, të dyja këto detaje nuk u morën parasysh në gjyq.

Në shkurt të vitit 1987 Michael u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Christine. Michael dhe avokatët e tij këmbëngulën në pafajësi, duke kërkuar që t’u tregohej koha e vdekjes. Gjithashtu, në kohën e vrasjes jashtë shtëpisë së çiftit u gjet edhe një fashë e gjakosur, të cilën mund ta kishte hedhur vrasësi kur ishte larguar. Por fatkeqësisht, testi i ADN nuk ishte në nivelin e mjaftueshëm në atë kohë për ekzaminime të detajuara.

Dy vjet më vonë, ndërsa avokatët e Michael luftonin ende për të provuar pafajësinë e tij, ndodhi një tjetër vrasje në të njëjtën zonë. Një nënë ishte vrarë në shtratin e saj.

Më 13 janar 1988, Debra Baker ishte duke fjetur. Dy fëmijët e saj, 7 dhe 3 vjeç ishin duke ndenjur me babanë e tyre. Një person hyri me dhunë në shtëpi, e qëlloi për vdekje gruan dhe vodhi një video.

Image

 

Ashtu si Christine, Debra ishte një grua brune e cila ishte munduar të luftonte për të ndalur vrasësin e saj. Të dyja gratë ishin vrarë më datë 13, dhe të dyja në shtrat. Edhe në këtë rast, i dyshuari kryesor për policinë u bë bashkëshorti, por ai u çlirua nga akuzat disa javë më vonë dhe krimi mbeti i pazbardhur.

Në vitin 2011, pasi Michael kaloi 24 vjet në burg, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Organizata jofitimprurëse ‘Innocence Project’ nisi një fushat për të kërkuar që të bëheshin analizat e ADN sipas teknologjisë së fundit në fashën e gjakosur të gjetur 24 vjet më parë pranë shtëpisë ku ndodhi vrasja e 31-vjeçares. Ajo do të ishe prova vendimtare për shfajësimin e Michael.

Kur ajo më në fund u dërgua në laborator, u provua se përmbante gjakun e Christine të përzierë me ADN e një mashkulli që nuk ishte Michael. Pas më tepër se 2 dekadash i burgosur për një krim që nuk e kishte kryer, Michael u la i lirë më 4 tetor 2011.

Prokurori që e akuzoi dikur, Ken Anderson, tashmë ishte një gjykatës. Ai u akuzua dhe dënua për shpërfillje të gjykatës për mosparaqitjen e provave nga gjyq – prova për të cilat nëse do të kishte ngritur dyshime të arsyeshme, mund të kishin provuar pafajësinë e Michael.

Ken Anderson u dënua me shërbim në komunitet, një gjobë dhe dhjetë ditë në burg – nga të cilat kreu vetëm pesë.

Ndërkohë, ADN në fashë u zbulua se i përkiste një burri të quajtur Mark Norwood, i cili kishte jetuar në Austin në kohën e vrasjes së Christine. ADN e Mark gjendej në sistemin e të dhënave të policisë si një njëri me të shkuar kriminale, përfshi edhe disa grabitje të dhunshme. 58-vjeçari doli para gjykatës në vitin 2013 dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Christine.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat