Marrëveshja bërthamore me Iranin dhe presidenti i zgjedhur Trump

Amerika

Marrëveshja bërthamore me Iranin dhe presidenti i zgjedhur Trump

Më: 22 nëntor 2016 Në ora: 17:27
Gjatë fushatës në Uashington

Republikanët në Kongres dhe kundërshtarë të tjerë të marrëveshjes bërthamore me Iranin po i bëjnë thirrje administratës së presidentit të zgjedhur, Donald Trump që ta forcojë atë, në vend të që ta eliminojë. Zoti Trump e ka quajtur këtë si një nga "marrëveshjet më të këqija të të gjitha kohërave." Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Masood Farivar sjell hollësitë mbi mënyrën se si administrata e re amerikane ka të ngjarë ta trajtojë këtë çështje të mprehtë.

Në fillim të fushatës zgjedhore, presidenti i zgjedhur Donald Trump e bëri të qartë mendimin e tij për një nga arritjet më të mëdha të administratës së presidentit Obama në fushën e politikës së jashtme.

"Nuk kam parë kurrë në jetën time një marrëveshje të negociuar në mënyrë kaq jo kompetente si marrëveshja me Iranin."

Kjo ishte një çështje për të cilën zoti Trump ka folur shumë gjatë fushatës, por tani, kundërshtarët e marrëveshjes janë të shqetësuar se braktisja e saj mund të sjellë më shumë dëme sesa dobi.

Ligjërisht, Shtetet e Bashkuara thjesht mund të tërhiqen nga ajo që ekspertët thonë se është një marrëveshje ndërkombëtare jo-detyruese.

Ish-avokati i Departamentit të Shtetit Edward Swaine foli me Zërin e Amerikës përmes Skype-it.

"Nuk do të ketë pasoja direkte ligjore ndërkombëtare në rast se Shtetet e Bashkuara do të ndryshonin qëndrimin e tyre ndaj marrëveshjes."

Por pasojat politike të tërheqjes nga marrëveshja janë tepër të mëdha. Një veprim i tillë do të zemëronte nënshkruesit e tjerë të marrëveshjes, duke përfshirë aleatët evropianë të etur për zgjerimin e lidhjeve me Iranin, dhe do të mund ta shtynte Iranin drejt rifillimit të programit të tij bërthamor. Kundërshtarët e meparshëm të marrëveshjes po mbështesin gjithnjë e më shumë këtë pikëpamje. Orde Kittrie është me organizatën “Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive”.

"Unë mendoj se njerëzit përgjegjës në Kongres, në të dyja anët e spektrit politik, do ta kuptojnë se nga pikëpamja amerikane, ajo mund të ketë qenë një marrëveshje më e mirë, megjithatë në këtë pikë tërheqja nga kjo marrëveshje nuk është një ide e mirë, zbatimi saj më rigoroz është rruga e duhur."

Republikanët në Kongres, të cilët nuk arritën ta bllokonin marrëveshjen vitin e kaluar tani duan t’i ashpërsojnë sanksionet ndaj Iranit për të forcuar pozitën e administratës së presidentit të zgjedhur Trump në negociatat e ardhshme me Iranin.

"Unë mendoj se administrata e re do të punojë drejt një zbatimi më rigoroz të marrëveshjes, dhe do të monitorojë më me kujdes veprimet e Iranit në fusha të tjera, por nuk do të heqë dorë nga marrëveshja, sepse një veprim i tillë nuk do të ishte në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara."

Pavarësisht kritikave të tij të ashpra ndaj marrëveshjes, zoti Trump është larg kërcënimit për shfuqizimin saj. Dhe kjo, thonë ekspertët, mund t'i japë atij një liri të duhur veprimi për ta mbajtur marrëveshjen në fuqi, ndërkohë që vazhdon qëndrimin e tij të ashpër ndaj Iranit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat