Trump: Amerika t’i japë fund “ciklit shkatërrimtar të ndërhyrjeve dhe kaosit"

Amerika

Trump: Amerika t’i japë fund “ciklit shkatërrimtar të ndërhyrjeve dhe kaosit"

Më: 7 dhjetor 2016 Në ora: 16:51
Donald Trump

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ritheksoi dje vizionin e tij për një politikë të jashtme amerikane jo-ndërhyrëse, duke përsëritur ato që tha gjatë fushatës elektorale, se ai nuk dëshironte që forcat amerikane të luftonin, siç u shpreh ai, “në zona që ne nuk duhet të përfshihemi.” Duke folur gjatë një tubimi falenderimi për mbështetësit e tij në Karolinën e Veriut, zoti Trump tha se fokusi i tij do të jetë mundja e terroristëve, përfshi këtu grupin e vetquajtur Shteti Islamik.

“Unë do ta autorizoj përdorimin e forcës ushtarake vetëm kur bëhet fjalë për interesat jetike  tësigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Nuk duam një ushtri të dobësuar, të shpërndarë kudo në botë, në zona ku nuk duhet të ishim të angazhuar. Tani e tutje, Amerika do të jetë e para. Nuk do të nxitojmë për të përmbysur regjime të huaja, për të cilat nuk dimë asgjë, ku nuk duhet të jemi të përfshirë.”

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet t’i japin fund asaj që ai e quajti “cikël shkatërrimtar ndërhyrjesh dhe kaosi”.

Zoti Trump premtoi të forcojë ushtrinë, por tha se qëllimi do të jetë për të treguar forcë dhe jo agresion.

Gjatë fushatës elektorale, ai kishte përmendur disa herë se NATO dhe aleatët e tjerë nuk po mbajnë barrën financiare që u takon, dje zoti Trump u shpreh se ai kërkon të forcojë miqësitë e vjetëra dhe krijojë miqësi të reja.

Në të njëtin tubim, zoti Trump njoftoi zyrtarisht se ka zgjedhur gjeneralin në pension James Mattis për postin e sekretarit të mbrojtjes.

Zoti Mattis ka shërbyer në krye të Komandës Qendrore Amerikane që drejton operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme si dhe ka qënë Komandant Suprem i NATO-s.

Gjenerali në pension do të ketë nevojë për një autorizim të posaçëm nga Kongresi për t’u konfirmuar në krye të departamentit të mbrojtjes. Përndryshe, ai nuk mund të shërrbejë si Sekretar i Mbrojtjes pasi ligji kërkon një pauzë shtatë vjeçare për ish ushtarakët që të sherbejnë në këtë post. Ai ka më pak se katër vjet që ka dalë në pension./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat