E ardhmja e demokratëve pas fitores së zotit Trump

Amerika

E ardhmja e demokratëve pas fitores së zotit Trump

Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 23:29
E ardhmja e demokratëve pas fitores së zotit Trump

Partia Demokrate në Shtetet e Bashkuara është në kërkim të rimëkëmbjes pas fitores së republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar. Republikanët gjithashtu ruajtën shumicën në senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Mbështetësit e presidentit të zgjedhur Donald Trump në Sinsinati festuan fitoren duke i rezervuar atij një mirëseardhje të ngrohtë në fillim të turneut të tij të fitores.

"Historia thirri njerëzit e këtij shteti të madh dhe ata u përgjigjën, ju do të jeni shumë të kënaqur me këtë. Ne do ta themi tani se çfarë do të bëjmë. Do ta bëjmë Amerikën sërish madhështore."

Demokratët përballen me një të ardhme shumë të ndryshme pas humbjes së Hillary Clinton-it.

Demokratët mbeten në pakicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat dhe tani përballen me pyetjen se çfarë lloji opozite do të jenë gjatë administratës së Presidentit Trump, thotë analisti John Fortier.

"Çfarë drejtimi do të marrë partia? A do të jetë një parti që hedh vështrimin nga figurat e saj më progresive si senatorja Elizabeth Warren dhe senatori Bernie Sanders, të cilët do ta çonin partinë në një drejtim më të majtë, apo do të ndjekë një drejtim nga qendra si Hillary Clinton?"

Senatori Sanders duket të jetë i gatshëm të marrë një rol udhëheqës në parti. Ai u ka bërë thirrje demokratëve që të rivlerësojë qasjen e tyre ndaj votuesve të shtresës punëtore.

"Miliona njerëz të shtresës punëtore, klasës së mesme, njerëz me të ardhura të ulëta, sot jetojnë në dëshpërim."

Theksi në këtë ndryshim ishte gjithashtu në mendjen e ligjvënësit demokrat nga Ohajo, Tim Ryan, i cili dështoi në përpjekjen për t’i zënë vendin zonjës Nensi Pelosin si udhëheqësese e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Unë besoj se në qoftë se ne duam të fitojmë si demokratë, ne duhet të kemi një mesazh ekonomik që bën jehonë në çdo cep të këtij vendi."

E ardhmja e partisë është gjithashtu një fokus i Presidentit në largim, Barack Obama.

"Do të ketë një grup kryesor vlerash që nuk duhet ndryshuar por duhen të jenë parimi ynë unifikues. Por ne duhet të mendojmë dhe të shpenzojmë kohë në diskutimin e mënyrave të organizimit tonë politik."

Një numër i madh i votuesve të bardhë të shtresës punëtorë u dyndën drejt zotit Trump këtë vit, thotë analisti konservator Fred Barnes.

"Ai bëri diçka që nuk kam menduar se republikanët do të arrinin ta bënin. Ai fitoi në Pensilvani, Ohajo, Miçigan dhe në Uiskonsin, rripi i shteteve industriale, ku ka shumë njerëz të shtresës punëtore, një numër i madh i të cilëve kanë humbur vendet e punës."

Demokratët në Kongres duhet të vendosin se në cilat çështje do ta kundërshtojnë zotin Trump, dhe në cilat çështje duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat