Dylan Roof, supremacisti i bardhë i papenduar dhe enigmatik, i cili ka vrarë nëntë besimtarë afrikano-amerikanë në një kishë në Çarlston të Karolinës së Jugut, në një sulm të qartë racor pothuajse 19 muaj më parë, duke tronditur mbarë botën, është ndëshkuar me dënim me vdekje nga një juri federale të martën, raporton The New York Times.
Juria, e përbërë prej nëntë të bardhëve dhe tre zezakëve, e cila muajin e kaluar e shpalli Roofin fajtor për sulmin në kishë, ka marrë vendim unanim pas një shqyrtimi triorësh në fazën e fundit të gjykimit të tij.
Roof nuk ka shfaqur asnjë emocion teksa vendimi për dënimin e tij me vdekje është lexuar në gjykatë.
Fajësia e Roofit, i cili me gjakftohtësi ka pranuar vrasjet dhe më pas i ka arsyetuar ato pa u penduar aspak në një manifest të shkruar në burg, nuk ka qenë asnjëherë në dyshim gjatë fazës së parë të gjykimit në dhjetor.
Dënimi i tij me vdekje ka qenë i shumëpritur, jo vetëm për shkak të natyrës së tmerrshme të krimeve, por për shkak se Roof, 22-vjeçar, ka mohuar me këmbëngulje se ka të meta, nuk ka thirrur dëshmitarë, nuk ka prezantuar dëshmi në mbrojtjen e tij dhe nuk ka bashkëpunuar me avokatët që i ka caktuar gjykata.