SpaceX lëshon me sukses në orbitë raketën Falcon 9

Amerika

SpaceX lëshon me sukses në orbitë raketën Falcon 9

Më: 15 janar 2017 Në ora: 09:02
SpaceX lëshon me sukses në orbitë raketën Falcon 9

Kompania private e eksplorimit të hapësirës SpaceX kreu të shtunën një lëshim të suksesshëm të raketës Falcon 9, i pari pas shpërthimit të një rakete gjatë nisjes në shtator.

Raketa u lëshua nga Baza e Forcave Ajrore e Vandenbergut në Kaliforni. Mekanizmi i fazës së parë të raketës u ul me sukses në Paqësor, një hap i rëndësishëm ky për krijimin e komponentëve të raketave që mund të përdoren përsëri.

Ndërkaq, satelitët që raketa dërgoi në hapësirë do të kryejnë një mision që mund të revolucionarizojë mënyrën se si fluturojnë avionët.

Teknologjia në bordin e tyre do t’i bëjë avionët të diktueshëm mbi gjithë tokën, duke përfshirë edhe zonat e zeza mbi oqeane dhe shkretëtira, ku ata sot për sot nuk mund të gjurmohen.

Asnjë teknologji nuk ka qënë në gjendje të gjejë avionin e kompanisë Malaysia Airlines 370 i cili u zhduk mbi oqean gati tre vjet më parë. Por në të ardhmen kjo mund të ndryshojë.

“Nëse transponderi, pajisja në avion që transmeton informacione, do të ishte aktive, po, do ta kishim gjetur patjetër,” thotë eksperti Vincent Capezzuto.

Ekipi i Capezzutos krijoi sistemin për gjurmimin e avionëve, gjatë gjithë kohës, gjatë çdo lëvizjeje mbi tokë. Sot, 70 përqind e tokës nuk është e mbuluar nga radarët për shkak të terrenit të thyer dhe oqeaneve.

“Askush nuk e di saktësisht se ku je, përvec pilotit. Sheh ekranin prapa ndenjëses, sheh edhe një hartë dhe e kupton se ku ndodhesh por kontrolli i trafikut ajror e di vetëm me përafërsi se ku ndodhet avioni,” thotë eksperti Don Thom.

Një pajisje e quajtur Aireon, sa madhësia e një mikrovale, u dërgua të shtunën në orbitë me anë të 10 satelitëve në bordin e raketës Falcon 9.

Satelitët do të zëvendësojnë modelet më të vjetër ekzistues dhe kjo do të jetë një ngjarje me rëndësi.

“Do të jetë një nga misionet më të komplikuara teknike në industrinë e hapësirës,” thotë eksperti Matt Desch.

Zoti Desch do të drejtojë një ekip inxhinierësh në misionin për zëvendësimin e satelitëve.

Me instalimin e satelitëve të rinj fillon edhe gjurmimi i avionëve. Rregulli që të gjithë avionët amerikanë të kenë pajisjen e duhur hyn në fuqi pas vitit 2020 – dy vjet pasi të jenë vendosur satelitët.

Pas kësaj nuk do të ketë më mistere për avionët e zhdukur me qindra njerëz në bord. Të gjithë do ta dinë ku ndodhen ata në çdo moment të fluturimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat