Ceremonitë që shoqërojnë inagurimin e Donald Trumpit

Amerika

Ceremonitë që shoqërojnë inagurimin e Donald Trumpit

Më: 19 janar 2017 Në ora: 18:32
ilustrim

Në 20 janar Donald Trump betohet si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara. Ngjarjet me rastin e inagurimit të tij shtrihen në tre ditë duke filluar nga e enjtja pasdite.

Presidenti dhe nënpresidenti i zgjedhur, Mike Pence do të vendosin sot kurora me lule në Varrezat Kombëtare në Arlington, atje ku ndodhen trupat e 400 mijë veteranëve të ushtrisë dhe familiarëve të tyre.

Presidenti i zgjedhur pritet të mbajë dhe një fjalim pranë memorialit të presidentit Lincoln. Aty do të mbahen edhe disa shfaqje muzikore nga këngëtari i muzikës country Toby Keith dhe Lee Greenwood si dhe banda e muzikës rock “3 Doors Down”.

Të enjten në mbrëmje zoti Trump dhe zoti Pence pritet të marrin pjesë në një darkë zyrtare me donatorë të fushatës.

E premtja është dita e tranzicionit të pushtetit nga presidenti Barak Obama tek Donald Trump.

Ceremonia e inagurimit nis me pjesmarrjen në kishë të presidentit të zgjedhur dhe bashkëshortes së tij Melania Trump, më pas ata do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me presidentin Obama dhe zonjën e parë Michele, një traditë kjo shumë vjeçare e inagurimeve.

Pas kësaj presidenti në largim dhe ai në ardhje, do të shkojnë bashkë në Kapitol, për ceremoninë e inagurimit. Fillimisht do të betohet nënpresidenti i zgjedhur Mike Pence dhe në mesditë Donald Trump do të jetë presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Betimi i tij do të drejtohet nga kryetari i gjykatës së lartë John Roberts. Zoti Trump ka njoftuar se do të përdorë Biblën e familjes së tij dhe atë të presidentit Lincoln, të cilën presidenti Obama e përdori në të dy inagurimet e tij. Pas betimit presidenti i ri mban një fjalim. Në historinë amerikane të inagurimeve disa fjalime kanë qenë të shkurtra me shumë pak fjalë ndërsa më fjalimi më i gjatë ka qënë me 8400 fjalë. Fjalimi i presidentit Obama llogaritet të ishte nga 2100 në 2400 fjalë.

Ceremonia në Capitol mbyllet me largimin e presidentit Obama dhe më pas presidenti i ri dhe nënpresidenti marrin pjesë në drekën zytare të organizuar nga komisioni i përbashkët që organizon ceremoninë e inagurimit.

Pas kësaj zoti Trump dhe Pence do të ndjekin nga Shtëpia e Bardhë paradën që do të mbahet në bulevardin Pennsylvania.

Të premten në mbrëmje presidenti Trump do të marrë pjesë në ballot tradicionale të inagurimeve. Një ditë pas inagurimit, ceremonia e fundit me rastin e inagurimit do të jetë mëngjesi kombëtar i lutjeve në katedralen kombëtare të Uashingtonit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat