Presidenti Obama është optimist për të ardhmen

Amerika

Presidenti Obama është optimist për të ardhmen

Më: 19 janar 2017 Në ora: 19:18
Presidenti Obama

Presidenti Barack Obama thotë se është optimist për të ardhmen e Amerikës, por se ka edhe shqetësime se ndasitë mund të gërryejnë vlerat themelore të vendit. Gjatë konferencës së fundit për shtyp zoti Obama foli edhe rreth bisedave të tij me Presidentin e zgjedhur Donald Trump.

Në seancën e tij të fundit me pyetje-përgjigje me gazetarët e akredituar në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se i ka dhënë këshillat më të mira të mundshme pasardhësit.

Por, ai shtoi se në fund të fundit do të jetë ekipi i zotit Trump që do të ketë ndikimin më të madh:

“Mendoj se shumë prej pikëpamjeve të tij do të përcaktohen prej këshilltarëve të tij. Prandaj është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje seancave të konfirmimit.”

Ai i ka thënë zotit Trump se do t’i duhet ndihmë:

“Është një punë që nuk e bën dot i vetëm.”

Ai mbrojti vendimin e tij për Chelsea Manning, që ishte dënuar me 35 vjet burg për nxjerrje materialesh të klasifikuara.

Zoti Obama tha se ish-ushtarakja pati marrë përgjegjësinë për veprimet e saj dhe se vuajti dënim më të zgjatur se shumica e personave të tjerë të dënuar për krime të ngjashme:

“Kishte kuptim ta shkurtonim dënimin e saj, por jo ta falnim. Ndjehem shumë komod që është vendosur drejtësia.”

Zoti Obama bëri thirrje për një politikë sigurie kibernetike për t’u mbrojtur nga sulmet e vendeve si Kina dhe Rusia, e akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane.

Ai akuzoi Presidentin rus Vladimir Putin për një qëndrim anti-amerikan që i vështirësoi gjërat.

Zoti Obama tha se synon të kalojë më shumë kohë këtë vit me familjen e tij dhe me shkrime.

Por, ai premtoi të ngrejë zërin nëse do të ndjejë se do të preken vlerat themeltare të vendit:

“Shqetësohem për pabarazinë, sepse mendoj se nuk po bëjmë mjaftueshëm për t’u siguruar që gjithkush të luajë një rol në ekonomi, e cila do ta ngadalësojë rritjen, gjë që mendoj se do të shkaktojë ndasi të mëtejshme mes amerikanëve.”

Zoti Obama shprehu edhe optimizmin e tij karakteristik...

Ai i inkurajoi mediat të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjshmëri nga udhëheqësit e ardhshëm./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat