Në Washington mblidhen anëtarë të një shoqate motoçiklistash pro-Trumpit

Amerika

Në Washington mblidhen anëtarë të një shoqate motoçiklistash pro-Trumpit

Më: 20 janar 2017 Në ora: 17:59
Qindra përkrahës të Trump mbërritën në Uashington me motoçikleta në përgatitje për inaugurimin e presidentit të ri

Qindra përkrahës të zotit Trump mbërritën në Uashington me motoçikleta në përgatitje për inaugurimin e presidentit të ri. Shoqata “Motoçiklistët për Trumpin” ka siguruar një vend pranë bulevardit ku do të zhvillohet parada e inaugurimit.

Chris Cox, themelues i shoqatës i tha rrjetit Fox se kur u mblodhën për herë të parë anëtarët e saj në tetor 2015, njerëzit i tallnin. Fillimisht shoqata kishte rreth 100 anëtarë, por tani ka afro 200 mijë, sipas zotit Cox.

“Motoçiklistët për Trumpin” filloi si rezultat i mënyrës se si zoti Trump shprehej hapur dhe reflektonte irritimin e motoçiklistëve me mënyrën si po udhëhiqej vendi dhe drejtimin që kishte marrë. Ne jemi një forcë reale, jemi një fenomen politik,” thotë zoti Cox.

Ai parashikon se në Uashington do të mblidhen 5 mijë motoçiklistë për të ndjekur paradën. Ky mund të jetë grumbullimi më i madh i organizuar nga një organizatë private në Ditën e Inaugurimit.

Themeluesi i shoqatës shpreson se ky grupim do të evolojë dhe të shndërrohet në një forcë edhe më të madhe dhe ndoshta në një grupim politik, të ngjashëm me organizatat evangjeliste, apo sindikatat punëtore.

Rreth 200 anëtarë të grupit organizuan një parakalim me motoçikleta dje, duke filluar në dalje të Uashingtonit dhe duke u futur më pas në lagjen historike Georgetown në kryeqytetin e vendit.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat