Trump po përgatit ndalimin e përkohshëm të refugjatëve dhe disa vizitorëve myslimanë

Amerika

Trump po përgatit ndalimin e përkohshëm të refugjatëve dhe disa vizitorëve myslimanë

Më: 25 janar 2017 Në ora: 11:32
Donald Trump

Mediat amerikane raportojnë se presidenti Donald Trump, më 25 janar, do të urdhërojë masa të reja kundër imigracionit, përfshirë edhe ndalimin e përkohshëm dhe pezullimin e vizave për qytetarët sirianë, ata nga Iraku, Irani dhe vende të tjera myslimane.

Ndalimi i hyrjes së refugjatëve brenda SHBA-së, me përjashtim të minoriteteve fetare që largohen nga persekutimi, pritet të zgjasë shumë muaj derisa autoritetet të hartojnë një proces agresiv të kontrollimit të imigrantëve, raporton Reuters dhe Associated Press.

Një tjetër urdhër pritet të vendosë bllokadë vizash për këdo nga Siria, Iraku, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni, raportojnë agjencitë e lajmeve, duke cituar zyrtarë anonim dhe ekspertë.

Urdhërat e parë do të nënshkruhen gjatë 25 janarit, gjatë një vizite në Departamentin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa të tjerat do të nënshkruhen brenda pak ditësh, thuhet në këto raportime.

Trump e ka konfirmuar se ai planifikon të bëjë një njoftim të madh duke shkruar në Twitter më 24 janar se “se e nesermja planifikohet të jetë ditë e madhe për sigurinë. Në mes të tjerash, do e ndërtojmë murin” në mes të SHBA-së dhe Meksikës.

Ndërtimi i murit përgjatë kufirit me Meksikën ka qenë një nga zotimet kryesore të Trumpit gjatë fushatës zgjedhore. Ai gjithashtu ka bërë fushatë duke premtuar politika të ashpra ndaj imigracionit për vendet me shumicë myslimane në Lindje të Mesme, Azi dhe Afrikë, përfshirë edhe ndalimin e rrjedhës së refugjatëve.

Fillimisht, ai ka bërë thirrje për ndalimin e përkohshëm të hyrjes në SHBA për këdo nga vendet myslimane, por më pas e ka ndryshuar zotimin duke u fokusuar në atë që ai e quajti “kotrollim ekstrem” të njerëzve që vijnë nga shtetet ku operojnë organizatat terroriste.

Shumë përkrahës të Trumpit e kanë kritikuar vendimin e ish presidentit Barack Obama për të rritur numrin e refugjatëve nga Siria që janë pranuar në SHBA duke thënë se ata i frikësohen se ata që largohen nga lufta civile do të kryejnë sulme militante.

Siria, Afganistani dhe Iraku, të gjitha këto vende të përfshira në luftë, janë në mesin e vendeve që kanë numrin më të madh të refugjatëve.

Trump pritet t’i jap instruksione Departamentit të Shtetit që të mos lëshojë viza për njerëzit nga disa shtete, dhe se ai mund të sygjerojë edhe zyrtarë doganorë të SHBA-së që të ndalojnë cilindo posedues të vizës amerikane që të hyjnë në SHBA.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë mbrëmë se Departamentet e Sigurisë Kombëtare do të punojnë në hartimin e një procesi të hetimit, për të kontrolluar personat e këtyre shteteve në të ardhmen, menjëherë pasi të fillojë punën Sekretari i ri Shtetit.

Ekspertët ligjor thonë se urdhërat ekzekutiv mund të sfidohen ligjërisht nga grupe të caktuara të cilët thonë se ato janë jo kushtetuese pasi diskriminojnë një grup fetar.

“Komentet e tij gjatë fushatës dhe një numër i caktuar i pjesëtarëve të ekipit të tij janë fokusuar tej mase në fenë si cak”, vlerëson për Reuters eksperti i imigracionit, Hiroshi Motomura, nga Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles.

Masa të tjera mund të përfshijnë urdhërimin e të gjitha agjencive që të përfundojnë hartimin e sistemit të identifikimit biometric për ata që nuk janë shtetas amerikanë, që hyjnë e dalin nga SHBA-ja, dhe kapjen e imigrantëve që përmes mashtrimit përfitojnë nga programet qeveritare, shkruan më tej Reuters/REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat