Trump do të ngrejë "zona të sigurta" për t'i mbajtur refugjatët në Siri

Amerika

Trump do të ngrejë "zona të sigurta" për t'i mbajtur refugjatët në Siri

Më: 26 janar 2017 Në ora: 07:41
Një kamp i përkohshëm refugjatësh në Siri.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se synon të ngrejë “zona të sigurta për refugjatët në Siri", si pjesë e planit të tij për të kufizuar migrimin në SHBA.

Trump i bëri komentet në një intervistë me televizionin ABC. Ai tha se ka vendosur për planin pasi ka parë luftën e Bashkimit Evropian me krizë të madhe refugjatësh, që kryesisht kanë dalë nga lufta civile në Siri.

“Mendoj se Evropa ka bërë gabim të madh duke lejuar miliona njerëz të hyjnë në Gjermani dhe vende të tjera”, tha Trump.

Ai e sheh krijimin e zonave të sigurta në Siri si mënyrë për frenimin e kërcënimit të terrorizmit në SHBA.

Mediat amerikane raportojnë se urdhri ekzekutiv për zonat e sigurta do të lëshohet së bashku me urdhrat për ndalimin e zhvendosjes së refugjatëve nga Siria në SHBA dhe për pezullimin e vizave amerikane për njerëzit nga Siria, Iraku, Irani dhe vende të tjera myslimane, derisa një sistem agresiv i verifikimit të hyjë në fuqi.

Agjencia Reuters thotë se ka parë draftin e urdhrit ekzekutiv për zonat e sigurta. Sipas saj, urdhri kërkon nga Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit të dalin me një plan, brenda 90 ditësh, për garantimin e zonave të sigurta në Siri dhe në rajonin përreth, ku shtetasit sirianë, të zhvendsour nga vendi i tyre, mund të presin për riatdhesim ose zhvendosje të mundshme në një vend të tretë.

Reuters dhe AP thonë se dokumenti nuk jep detaje mbi atë që do të përbënte një zonë të sigurt, se ku mund të krijohet apo kush mund ta mbrojë atë. Jordania, Turqia dhe vendet tjera fqinje tashmë strehojnë miliona refugjatë sirianë.

Qeveria e Turqisë, për kohë të gjatë, ka bërë presion për krijimin e zonës së ndalim-fluturimit në Siri.

Derisa politikanë të ndryshëm amerikanë kanë ngritur mundësinë e krijimit të zonave të sigurta në Siri, përfshirë edhe kundërshtaren demokrate të Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, Hillary Clinton, ish-presidenti Barack Obama i ka rezistuar propozimit nga shqetësimi se mund ta tërheqë SHBA-në edhe më shumë në luftën e përgjakshme të Sirisë dhe ta çojë në përleshje eventuale me trupat ruse, që kryejnë sulme ajrore në Siri.

Në rast të krijimit të zonave të sigurta, me gjasë do të duhet edhe këmbësoria amerikane për t’i mbrojtur civilët në këto zona. Kjo do të rriste koston e ndërhyrjes si në aspektin e parave, ashtu edhe të rrezikimit të jetëve.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë kanë paralajmëruar se krijimi i zonave të ndalim-fluturimit ose zonave të sigurta brenda Sirisë do të kërkonte më shumë burime sesa ato që tashmë janë në dispozicion për luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik. Sipas tyre, do të ishte po ashtu e vështirë të garantohet se militantët nuk depërtojnë në këto zona, si pasojë e kaosit nga lufta civile.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka thënë se do të kërkonte nga shtetet e pasura të Gjirit Persik që të ndihmojnë dhe të paguajnë për strehat e tilla të sigurta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat