Presidenti Trump, në veprim për të vënë në jetë programin e tij

Amerika

Presidenti Trump, në veprim për të vënë në jetë programin e tij

Më: 31 janar 2017 Në ora: 18:18
ilustrim

Që nga inaugurimi më 20 janar, Presidenti Donald Trump ka vepruar pa vonesë për të vënë në jetë programin e tij për ndryshim. Ai ka nënshkruar disa urdhra ekzekutivë me synimin për të vënë në zbatim disa elementë të rëndësishëm të politikave të tij të brendshme. Por masa e zotit Trump për të forcuar politikat e imigracionit si dhe pretendimet e ngritura disa herë nga administrata e tij për manipulim votash në zgjedhjet e nëntorit, mund të krijojnë një pështjellim të panevojshme në ditët e para të presidencës së tij.

Ditët e para të presidencës Trump kanë qenë të karakterizuara nga masa ekzekutive në tregti, në rregulloret administrative dhe në kufizimin e imigracionit e janë shoqëruar me plot polemika:

Por me kufizimin e përkohshëm të udhëtarëve nga shtatë vende kryesisht myslimane, presidenti ka hasur në rezistencë në vend dhe jashtë tij, ka shkaktuar kaos në aeroporte e protesta në rrugë.

Demokratët e kritikuan menjëherë urdhrin, përfshirë Senatorin Chuck Schumer:

“Urdhri u zbatua në një mënyrë që krijoi kaos dhe konfuzion në vend dhe do të shërbejë vetëm për të forcuar dhe frymëzuar ata elementë në botë që duan të na dëmtojnë”.

Presidenti thotë se urdhrat ekzekutivë kanë për synim të vënë në jetë premtimet e fushatës:

“Jemi në këtë post pasi miliona amerikanë kanë varur shpresat tek ne për ta kaluar pushtetin që ka Uashingtoni përsëri në duart e popullit,” tha zoti Trump.

Por ka edhe tema të tjera që e largojnë vëmendjen nga qeverisja. Për shembull, komentet në Twitter, si dhe preokupimi i presidentit me madhësinë e turmës që ndoqi inaugurimin.

“Mendoj se do të ketë veprime të pazakonta, si komente në Twitter. Mnedoj se do të na duhet të mësohemi me to,” - tha Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

Presidenti Trump ka bërë thirrje për hetime lidhur me pretendimin e tij për manipulim votash, duke thënë se e humbi votën popullore pasi miliona imigrantë pa të drejtë vote kishin votuar për Hillary Clintonin.

Analisti John Fortier thotë se komente të tilla largojnë vëmendjen nga puna për të vënë në jetë programin e tij:

“Për politika madhore si ndryshimet në ligjin për kujdes shëndetësor, shkurtimin e taksave, reduktimin e pengesave burokratike, apo sigurinë e kufijve që e ngre me të madhe Presidenti Trump duke thënë se do të ndërtojë një mur në kufi, të gjitha këto gjëra kërkojnë veprime të shpejta që administrata të shfrytëzojë kontrollin republikan në Kongres, para se të ikë koha”.

Ekspertë të tjerë thonë se zoti Trump duhet të përpiqet të zgjerojë mbështetjen përtej bazës së tij.

“2.8-2.9 milionë më shumë votues mbështetën Hillary Clintonin. Kjo s’do të thotë se Presidenti Trump nuk ka legjitimitet. Por do të thotë që i duhet të bëjë shumë punë për të bindur amerikanët se ai përfaqëson dhe pasqyron vlerat e shumicës së tyre,” - thotë analisti John Hudak i Institutit “Brookings”.

Për momentin Presidenti Trump duket i vendosur për të vënë në jetë premtimet që i bëri bazës së tij gjatë fushatës, pavarësisht se sa e madhe do të jetë rezistenca politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat