Trump premton masa sigurie shtesë

Amerika

Trump premton masa sigurie shtesë

Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 21:12
Abe - Trump

Presidenti Donald Trump premtoi të premten se do të ndërmarrë shumë shpejt veprime për të mbrojtur SHBA dhe qytetarët e tyre. Ai i bëri komentet një ditë pasi një gjykatë federale apeli e la pezull zbatimin e urdhrit të tij ekzekutiv për ndalimin e udhëtimeve nga shtatë vende me shumicë myslimane.

Presidenti Trump nuk bëri të ditur se çfarë hapa të tjera planifikon të ndërmarrë për të kontrolluar hyrjet në SHBA të njerëzve nga vendet që ai i shikon si kërcënime të mundshme terroriste.

“Ne do të marrim masa që do të vazhdojnë ta bëjnë vendin tonë të sigurt,” premtoi zoti Trump në një konferencë shtypi me kryeministrin japonez Shinzo Abe. “Kjo do të ndodhë shpejt. Ne nuk do të lejojmë në vendin tonë njerëz të cilët përpiqen t’i bëjnë keq popullit tonë,” tha ai.

Zoti Trump shtoi se ende shpreson të dalë fitues në sfidën ligjore lidhur me urdhrin e tij ekzekutiv për ndalimin e udhëtimeve, pavarësisht nga vendimi i një gjykate federale apeli të enjten për të mos lejuar kthimin në fuqi të urdhrit.

“Nuk kam asnjë dyshim se në fund ne do të fitojmë në këtë çështje”, tha ai.

Zoti Trump theksoi se votuesit e zgjodhën për ta mbajtur vendin të sigurt. “Prandaj, - tha ai, - ne do të bëjmë diçka shumë shpejt, që ka lidhje me masa sigurie shtesë për vendin tonë. Këtë ju do ta shihni gjatë javës tjetër.”

Zoti Trump tha se kishte mësuar gjëra të jashtëzakonshme që “mund të mësohen vetëm nëse je në pozitën e presidentit.” “Ekzistojnë kërcënime të jashtëzakonshme për vendin tonë. Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Mund t'ju them se nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë,'' tha zoti Trump.

Gjykata e Apelit dhe urdhri ekzekutiv

Një gjykatë apeli në Shtetet e Bashkuara nuk pranoi ta risjellë në fuqi urdhërin ekzekutiv të Presidentit Trump për ndalimin e udhëtarëve nga shtatë vende me shumicë myslimane. Gjykata tha se qeveria nuk arriti të provojë se argumentet që ajo solli në apel ishin të justifikuara.

Një panel prej tre gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit në San Francisco vendosi njëzëri ta lërë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që pezullonte përkohësisht urdhrin e presidentit Trump për të mos lejuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga 7 vende me shumicë myslimane.

Pak pasi gjykata e bëri të njohur vendimin, Presidenti Trump shkroi në twitter: “Do të shihemi në gjyq; siguria e vendit tonë është në rrezik.” Më pas ai u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se gjykata mori një “vendim politik”, duke rrezikuar sigurinë kombëtare.

“Ndodhemi në një situatë kur siguria e vendit tonë është në rrezik, kemi të bëjmë me një situatë tepër serioze, prandaj presim të takohemi në gjykatë. Ne do ta fitojmë këtë çështje,”- tha Presidenti.

Në një konferencë shtypi në Siatëll, Bob Ferguson, Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Uashingtonit, që ngriti argumente kundër rikthimit në fuqi të urdhërit ekzekutiv, e cilësoi vendimin e gjykatës së apelit një fitore për Kushtetutën amerikane:

“Ne jemi një vend që funksionon me ligje dhe…këto ligje janë për të gjithë amerikanët, përfshirë Presidentin e Shteteve të Bashkuara.”

Avokati i Shtëpisë së Bardhë August Flentje argumentoi para gjykatës së apelit se urdhri ekzekutiv ishte brenda kompetencave që Kongresi dhe Kushtetuta i kanë dhënë presidentit.

Por Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i shtetit të Uashingtonit Noah Purcell, tha se rikthimi në fuqi i urdhërit ekzekutiv pa një shqyrtim të plotë juridik do ta çonte vendin në kaos.

Çështja mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat