SHBA, dorëhiqet këshilltari i sigurisë kombëtare

Amerika

SHBA, dorëhiqet këshilltari i sigurisë kombëtare

Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 07:09
Këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn

Këshilltari i sigurisë kombëtare Michael Flynn dha dorëheqjen pas njoftimeve se ai nuk u kishte treguar të vërtetën zyrtarëve të administratës Trump rreth kontakteve të tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Dorëheqja e zotit Flynn, kur administrata Trump ka më pak se një muaj që ka filluar nga puna, shënon një tronditje të pazakontë në ekipin e lartë të këshilltarëve të presidentit.

Flynn ishte mbështetës besnik i zotit Trump gjatë gjithë fushatës, por lidhjet e tij me Rusinë shkaktuan shqetësim mes bashkëpunëtorëve të tjerë të lartë.

Gjenerali Keith Kellog është emëruar për të shërbyer si këshilltar në detyrë i sigurisë kombëtare.

Flynn fillimisht u tha këshilltarëve të zotit Trump se me ambasadorin rus nuk kishte diskutuar për sanksionet. Nënpresidenti Mike Pence, me sa duket nisur nga informacionet e marra nga Flynn, dha garanci publike për këshilltarin e sigurisë kombëtare.

Flynn më pas u tha zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë se ai mund të kishte diskutuar mbi sanksionet me ambasadorin, por nuk i kujtohej.

Dy persona që kanë dijeni për situatën thanë se Departamenti i Drejtësisë e kishte paralajmëruar administratën Trump për kontaktet e zotit Michael Flynn me Rusinë.

Sipas njërit prej tyre, Departamenti i Drejtësisë i tha administratës se ka pasur mospërputhje midis asaj që Shtëpia e Bardhë ka deklaruar publikisht në lidhje me kontaktet e zotit Flynn dhe fakteve rreth këtyre kontakteve.

Personi në fjalë tha se Departamenti i Drejtësisë ishte i shqetësuar se zoti Flynn mund të ishte në pozitë të komprometuar.

Një zyrtar i administratës tha se Shtëpia e Bardhë prej javësh ka qenë në dijeni të paralajmërimit të Departamentit të Drejtësisë. Por zyrtari nuk dëshironte të thoshte nëse presidenti ishte informuar për çështjen.

Dy personat nuk ishin të autorizuar për të diskutuar mbi çështjen prandaj komentuan në kushte anonimiteti.

Gazeta Washington Post ishte e para që njoftoi për komunikimet me Departamentin e Drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat