SHBA, çështja e ndalimit të udhëtimeve në gjykata

Amerika

SHBA, çështja e ndalimit të udhëtimeve në gjykata

Më: 14 shkurt 2017 Në ora: 23:06
ilustrim

Në Shtetet e Bashkuara, gjykatësi federal që pezulloi përkohësisht urdhërin ekzekutiv të Presidentit Trump për ndalimin e hyrjes në Amerikë të shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane, vendosi të hënën se ankimi në gjyq ndaj urdhërit të presidentit mund të vazhdojë, ndërsa një tjetër gjykatëse federale vendosi të hënën, që urdhëri I presidentit të bllokohej në shtetin e Virxhinias.

Gjyqtari James Robart vendosi në fillim të muajit, që shtetasit nga Iraku, Irani, Siria, Libia, Jemeni, Somalia dhe Sudani, të cilët kanë viza të vlefshme për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, të lejohen ta bëjnë këtë dhe se programi i refugjatëve mund të vazhdojë të zbatohet, ndërkohë që gjykatat shqyrtojnë në se urdhëri ekzekutiv i zotit Trump është i ligjshëm.

Qeveria e apeloi këtë vendim në gjykatën e apelit të qarkut të 9-të. Paneli prej tre gjykatësish, e mbajti në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, për pezullimin e zbatimit të urdhrit të presidentit.

Gjykata e apelit e qarkut 9, përbëhet nga 25 gjyqtarë dhe një prej tyre kërkoi javën e kaluar që i gjithë grupi të votojë në se duhet vendosur që një panel prej 11 gjyqtarësh të dëgjojë përsëri argumentet lidhur me mbajtjen në fuqi të ndalimit të përkohshëm të zbatimit të masave për ndalimin e udhëtimeve. Të dyja palëve u është lënë afat deri të enjten për t’i dërguar argumentet e tyre në atë gjykatë.

Departamenti i Drejtësisë i kërkoi të hënën gjykatësit Robart të mos vazhdojë më tej shqyrtimin e urdhërit ekzekutiv të zotit Trump në se ai ka apo jo baza ligjore, deri sa gjykata e qarkut të 9-të të marrë një vendim për këtë çështje, por gjykatësi Robart e hodhi poshtë këtë kërkesë.

Shteti i Uashingtonit, që së bashku me atë të Minnesotës po udhëheqin sfidën ligjore, argumentoi se zhvillimi i një seance dëgjimore lidhur me kushtetutshmërinë e urdhërit të zotit Trump në gjykatën e shkallës së parë, nuk bie ndesh me apelimin e vendimit në gjykatën e qarkut të 9-të.

Administrata Trump thotë se ajo ka autoritetin për të vendosur ndalimin e udhëtimeve, duke cituar nevojën për të mbrojtur sigurinë kombëtare të vendit. Ajo po ashtu ka hedhur poshtë kritikat se ndalimi i udhëtimeve, që përfshin vende me shumicë myslimane, ndalon hyrjen e të gjithë myslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë fushatës elektorale, zoti Trump, fillimisht propozoi që të mos lejohen myslimanët të hyjnë në vend, por më vonë ai i bëri ndryshime planit të tij, duke vënë në shënjestër vende që kanë lidhje me terrorizmin.

Gjyqtarja e Gjykatës së Distriktit, Leonie Brinkema, citoi këto deklarata kur mori vendimin të hënën në Virxhinia, që vendos një urdhër paraprak kundër zbatimit të asaj pjese të urdhërit ekzelutiv të Presidentit, që ka të bëjë me ndalimin e hyrjeve në SHBA. Ky vendim nuk prek programin e refugjatëve.

"Çështja është në se urdhëri ekzekutiv është nxitur vërtet nga shqetësimet e sigurisë dhe jo nga motivi i moslejimit, bazuar tek miratimi një grupi fetar mes refugjatëve dhe duke favorizuar një tjetër grup fetar”, shkruan në vendimin e saj gjykatësja Brinkema.

Kushtetuta amerikane ia ndalon qeverisë përcaktimin e një feje zyrtare, ose marrjen e masave që nxisin, ose frenojnë fenë.

Urdhëri i zotit Trump specifikonte se refugjatët të cilët përbëjnë pakicë fetare në vendet e tyre dhe që përballen me persekutim, përsëri do të ishin të ligjshëm të hynin në Shtetet e Bashkuara.

"Megjithëse nuk ka interesa më me peshë se sa shqetësimi për sigurinë kombëtare dhe kjo pranohet me mirëbesim, pala mbrojtëse nuk ka dhënë fakte për të mbrojtur pretendimin e tyre se urdhëri ekzekutiv është i nevojshëm për sigurinë kombëtare”, thotë gjykatësja Brinkema në vendimin e saj kundër zotit Trump.

Shteti i Virxhinias e bazoi vendimin tek ndikimi që mund të ketë ndalimi i hyrjes në SHBA nga disa vende, tek universitetet dhe kolegjet publike të Virxhinias, duke argumentuar se studentët po i tërhiqnin aplikimet e tyre; se shkollat do të humbnin pagesat e studimit dhe se studentët nga Virxhinia që studjojnë jashtë mund të përballen me ndjenja anti-amerikane.

Gjykatësja Brinkema citoi një zyrtar të universitetit, se ndalimi i udhëtimit ka ndikuar tek ardhja nga jashtë e të paktën 350 studentëve në 5 nga shkollat më të mëdha të shtetit të Virxhinias./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat