Kongresi do të hetojë kontaktet e këshilltarëve të Trumpit me Rusinë

Amerika

Kongresi do të hetojë kontaktet e këshilltarëve të Trumpit me Rusinë

Më: 15 shkurt 2017 Në ora: 08:50
Shtëpia e Bardhë

Zyrtarë të lartë të Kongresit amerikanë kanë thënë se do të hetojnë kontaktet në mes të Rusisë dhe këshilltarëve të lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, të mbajtura disa javë dhe muaj para se Trump të inaugurohej si president.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell ka thënë se ai pret që Komisioni i Inteligjencës në Senat ta intervistojë Michael Flynnin, këshilltarin për siguri të Shtëpisë së Bardhë që dha dorëheqje para dy ditësh pasi ka mbajtur biseda të fshehta me ambasadorin e Rusisë në SHBA.

Thirrjet për hetime në Kongres janë bërë derisa mediat amerikane kanë raportuar se bashkëpunëtorët e Trumpit dhe stafi i tij kanë pasur jo pak kontakte me zyrtarë të lartë të lartë të inteligjencës ruse para mbajtjes së zgjedhjeve të 8 nëntorit, ndonëse ende nuk është publikuar ndonjë dëshmi për këtë.

Këto raportime janë bërë derisa është marrë vesh se Trump që disa javë e ka ditur se Flynn, tash këshilltati i dorëhequr për siguri, e ka gënjyer Shtëpinë e Bardhë për kontaktet që ka pasur me Rusinë.

Flynn nuk është detyruar të jap dorëheqje derisa mediat kanë nisur të raportojnë javën e kaluar se ai ka biseduar sanksionet ndaj Moskës me ambasadorin Sergei Kislyak.

Flynn i ka thënë “Daily Caller” më 14 shkurt se gjatë bisedave që ka pasur me ambasadorin Kislyak, nuk është kaluar asnjë vijë e kuqe. Ai ka thënë se ata kanë biseduar vetëm për 35 diplomatët rusë që janë detyruar të largohen nga SHBA me urdhër të administratës së Obamës më 29 dhjetor.

“Nuk kishte të bënte me sankskone. Kishte të bënte me 35 personat që janë detyruar të largohen nga shteti”, ka thënë Flynn dhe ka shtuar se ai ka thënë se do të rishikojmë gjithçka, por “asnjëherë nuk kam thënë se ne do të rishikojmë sanksionet, apo diçka të ngjajshme”.

Mirëpo Reuters raporton se transkriptet e bisedave tregojnë se Flynn i ka thënë Kislyak se nëse Rusia i përgjigjet me qetësi sanksioneve të Obamës, kjo do e hapte mundësinë për diskutime të gjëra në përmirësimin e marrëdhënieve ruso amerikane, në momentin kur Trump të nis detyrën si president.

Pas sanksioneve të fundit amerikane, presidenti rus, Vladimir Putin, ndryshe nga herat tjera, vendosi që të mos i përgjigjet SHBA-së me sanksione të ngjajshme. Ai bile në dhjetor ftoj diplomatët amerikanë që të festojnë Krishtlindjet së bashku me të në Kremlin.

Çështjet e ngritura në marrëdhëniet e Rusisë me Trumpin kanë nxitur ligjvënës amerikanë, përfshirë edhe disa republikanë të rëndësishëm që të bëjnë thirrje për hetime të thella jo vetëm ndaj veprimeve të Flynnit, por në përgjithësi lidhjeve që Shtëpia e Bardhë ka me Rusinë.

Përfaqësuesi Adam Schiff, demokrati kryesor në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Inteligjencë, ka thënë se Trump reagoj ndaj Flynnit vetëm pasi kjo tërhiqte vëmendjen e madhe të mediave.

Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar më 14 shkurt se Byroja e Hetimeve Federale (FBI) e ka intervistuar Flynnin rreth bisedës që e ka pasur me ambasadorin rus, Kislyak si pjesë të nje hetimi rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane, ndërsa Departamenti i Drejtësisë e ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë rreth dallimeve në mes të deklarimeve publike të Flynnit dhe llogarive private të bisedave, pak pasi Trump e ka nis detyrën.

Por, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer ka thënë se nuk ka problem ligjor me bisedat që ka pasur Michael Flynn.

Megjithatë, sqarimet e Shtëpisë së Bardhë kanë kënaqur pak veta në Kongresin amerikan. Dy republikanë me pozita të rëndësishme, Bob Corker, dhe John Cornyn, janë pajtuar me McConnell se Komisioni i Inteligjencës në Senat duhet të hetojë kontaktet që ka pasur Flynn me Rusinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat