Presidenti Trump dhe politika e jashtme

Amerika

Presidenti Trump dhe politika e jashtme

Më: 21 shkurt 2017 Në ora: 19:07
Trump

Gjatë fushatës, Presidenti Donald Trump premtoi ndryshime të mëdha në politikën e jashtme - gjetjen e gjuhës së përbashkët me Rusinë, qëndrime më të ashpra ndaj Iranit dhe Kinës si dhe mbështetjen e fortë për udhëheqësin e Izraelit, Benjamin Netanjahu. Por, tani që ka kaluar një muaj nga fillimi presidencës, administrata po e ripërcakton fokusin e politikës së saj të jashtme, njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Oni Jesusemen.

Në fjalimin e inaugurimit, Presidenti Donald Trump theksoi se politika e jashtme e vendit duhet të udhëhiqet nga një parim i vetëm:

"Duke filluar nga kjo ditë, ajo do të jetë: Amerika e para. Në çdo vendim mbi tregtinë, taksat, emigracionin, punët e jashtme.”

Në muajin e tij të parë, presidenti ka filluar të verë në jetë ndryshime në traditën shumëvjeçare të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kohët e fundit, ai priti Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, një demonstrim uniteti që shënon një epokë të re në marrëdhëniet amerikano-izraelite, të cilat ishin të tendosura nën presidentin Barack Obama.

Kur ishte kandidat, zoti Trump premtoi ta zhvendoste ambasadën e amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem dhe dukej në favor të vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Por pasi u zgjodh president, ai la të kuptohej se “po shikonte mundësinë” e lëvizjes së ambasadës dhe i bëri thirrje Izraelit të "pezullojë” zgjerimin e vendbanimeve.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, Presidenti Trump e zbuti mbështetjen amerikane për formulën e zgjidhjes me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve, që SHBA kanë përkrahur prej një kohe të gjatë:

"Po shikoj mundësinë e zgjidhjes me dy shtete dhe me një shtet, dhe më pëlqen ajo që u pëlqen të dyja palëve.”

Presidenti Trump u zotua se do të përpiqej që Irani të mos ketë armë bërthamore, duke e kritikuar si “mjaft të keqe” marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Këtë muaj, ai vendosi sanksione të reja ndaj Iranit në përgjigje të provave të fundit me raketa të kryera nga Teherani.

"Do të bëj më shumë për të mos lejuar Iranin të zhvillojë armë bërthamore,” tha Presidenti Trump.

Në mënyrë të përsëritur zoti Trump është shprehur se marrëdhëniet më të ngrohta me Rusinë do të ishin diçka e mirë, pavarësisht nga lidhjet e saj me Iranin dhe akuzat se Rusia ndërhyri në zgjedhjet amerikane të 2016-s.

Kjo ka irrituar disa ligjvënës amerikanë si dhe aleatët evropianë.

Gjatë fundjavës në Bruksel, nënpresidenti amerikan Mike Pence u përpoq t’i qetësojë partnerët evropianë:

"Ndërsa Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbajnë Rusinë përgjegjëse, nën udhëzimet e presidentit Trump, ne do të kërkojmë gjithashtu një emërues të ri të përbashkët, që Presidenti Trump mendon se mund të gjendet."

Gjatë fushatës, zoti Trump kritikonte shpesh Kinën, duke e akuzuar si manipulatore e monedhës:

"Ata nuk kanë respektuar rregullat e lojës, por është koha që të fillojnë ta bëjnë."

Ai premtoi se do të vendoste tarifa mbi importet kineze dhe do të ndryshonte politikat tregtare. Deri tani administrata Trump ka mbajtur heshtje për këto çështje, duke e zhvendosur vemendjen te gjeopolitika.

Lidhur me Tajvanin, zoti Trump pranoi se do t’i përmbahej politikës së “një Kine”, por SHBA vazhdojnë të vënë në pikëpyetje pretendimet e Kinës ndaj hapësirave të mëdha në Detin e Kinës Jugore. Kohët e fundit, një aeroplanmbajtëse amerikane filloi "operacionet rutinë" në Detin e Kinës Jugore.

Kjo, pavarësisht paralajmërimit të Kinës për të mos ndërhyrë ndaj sovranitetit kinez në rajon.

"Mendoj se në administratën Trump ka një impuls për të qenë më të ashpër ndaj Kinës, por nga deklaratat që kemi dëgjuar nuk është e qartë deri tani nëse ekziston një politikë e qartë," thotë Bonnie Glaser e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

Ndonëse ka kaluar vetëm një muaj nga ardhja e administratës së re në Uashington, vendet e tjera po përgatiten për ndryshime të mëdha në marrëdhëniet me SHBA, ndërkohë që Presidenti Trump përpiqet të përcaktojë domethënien e saktë të politikës së tij “Amerika e para”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat