Presidenti Trump minimizon protestat

Amerika

Presidenti Trump minimizon protestat

Më: 22 shkurt 2017 Në ora: 23:43
ilustrim

Presidenti amerikan Donald Trump po i minimizon protestat kundër planit të tij për të shfuqizuar reformën e kujdesit shëndetësor që konsiderohet si arritja kryesore legjislative e ish presidenti Barack Obama.

Përmes një komenti në Twitter të martën në mbrëmje, zoti Trump u shpreh,

"Të ashtuquajturat turma të zemëruara në disa shtete ku kanë fituar republikanët janë në fakt, në pjesën më të madhe të rasteve, të planifikuara nga aktivistët liberalë. Është për të ardhur keq!"

Gjatë pushimit një-javor të kongresit, një numër ligjvënësish republikanë gjatë takimeve me votuesit në një numër shtetesh, janë pritur nga protesta të zhurmshme kundër përpjekjeve të tyre disa-vjeçare për të shfuqizuar reformën e sistemit shëndetësor që njihet si Obamacare.

Disa, siç tha zoti Trump, kanë organizuar përpjekje kundër ligjvënësve republikanë që kërkojnë ta shfuqizojnë ligjin, ndërsa të tjerë në takimet me ligjvënësit, duket të jenë votues individualë që thonë se do të humbasin siguracionin e tyre, duke i lënë në pamundësi për të paguar faturat mjekësore ndërsa përballen me probleme shëndetësore, në se kongresi nuk miraton një masë të ngjashme për ta zëvendësuar ligjin. Shumë thonë se kërkojnë që Obamacare të mos ndryshojë shumë tani për tani, me anketat kombëtare që tregojnë se ligji është tani më popullor sesa ç’ishte kur ekzistenca e tij u kërcënua seriozisht vitet e fundit.

Me një republikan në Shtëpinë e Bardhë, i cili shpesh e quajti ligjin “një katastrofë” gjatë fushatës presidenciale, një shumicë e madhe e ligjvënësve republikanë mendonin se do të kishin një rrugë të qartë për ta shfuqizuar ligjin. Ata e kanë kritikuar atë që nga miratimi në vitin 2010 nga një kongres i kontrolluar nga demokratët, pa u votuar nga asnjë republikan.

Republikanët kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur një nga dispozitat kryesore të ligjit, atë që shumë konservatorë e kanë konsideruar për një kohë të gjatë një kërkesë të tepruar që të gjithë amerikanë të blejnë siguracion shëndetësor ose të përballen me gjobë nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë. Presidenti Obama i vuri veton një përpjekje për ta shfuqizuar ligjin në kohën kur ishte në detyrë, ndërsa ligjvënësit demokratë bllokuan dhjetra përpjekje të tjera të republikanëve për ta çuar sfidën në Shtëpinë e Bardhë.

Ligji ka lejuar 20 milionë amerikanë të blejnë plane siguracioni që i kanë ndihmuar ata të paguajnë faturat mjekësore, duke i ndaluar kompanitë e sigurimeve të refuzojnë pacientë me probleme mjekësore ekzistuese dhe për t’i lejuar të rinjtë të mbulohen nga planet e prindërve të tyre deri në moshën 26 vjeçare. Kritikët thonë se politikat e siguracioneve që janë dhënë sipas ligjit kanë provuar të jenë shumë të kushtueshme për shumë njerëz, duke lënë ende miliona amerikanë të pa siguruar.

Rreth gjysma e amerikanëve e marrin siguracionin e tyre shëndetësor përmes punëdhënësve dhe nuk do të ndikoheshin drejtëpërdrejt nga fati që do të ketë ligji. Rreth një e treta e amerikanëve janë të moshuar ose të varfër dhe e marrin siguracionin nga programet qeveritare të kujdesit shëndetësor; por pjesa tjetër janë ose të pasiguruar, ose kanë blerë plane individuale për vete dhe familjet e tyre përmes sistemit Obamacare dhe mund të ndikohen rëndë në se ligji shfuqizohet pa patur një alternativë tjetër.

Tani, kur ligjvënësit republikanë kanë me vete presidentin Trump që është gati të nënshkuar një legjislacion për ta shfuqizuar ligjin, ata kanë hasur në vështirësi për të rënë dakort për një ligj zëvendësues.

Republikanët janë dakort të heqin klauzolën për gjobitje ndërsa të vazhdojnë të mbajnë pjesë të tjera të ligjit Obamacare, si klauzolën për të mbuluar me siguracion pacientë me probleme mjekësore; por, republikanët dhe presidenti Trump nuk kanë arritur ende të gjejnë mënyra për të mbuluar financiarisht një ligj të ri për kujdesin shëndetësor në se eliminojnë gjobat që sjellin të ardhura.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, zoti Trump premtoi se do ta shfuqizonte ligjin ditën e parë në detyrë.

Tani ai po thotë se do të duhet ndoshta deri në vitin 2018 për ta zëvendësuar atë. Republikanët në kongres thonë se kanë në plan të ndërmarrin hapa për ta shfuqizuar ligjin brenda pak javësh, por e ardhmja e tij mbetet e paqartë, me një pakicë demokratësh që janë të zëshëm në kundërshtimin ndaj shfuqizimit të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat