SHBA, myslimanët kërkojnë që Trump të trajtojë shqetësimet e tyre

Amerika

SHBA, myslimanët kërkojnë që Trump të trajtojë shqetësimet e tyre

Më: 25 shkurt 2017 Në ora: 07:26
ilustrim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dënoi haptazi këtë javë anti-semitizmin, pas një sërë kërcënimesh me bombë ndaj qendrave komunitare hebraike. Por, shumë amerikanë myslimanë janë të zemëruar që Presidenti nuk ka vepruar kështu edhe për të trajtuar shqetësimet nga ndjenjat në rritje kundër myslimanëve.

Presidenti Donald Trump ishte kritikuar se nuk pati shfrytëzuar disa mundësi për të dënuar një rritje të anti-semitizmit. Ditën e martë, ai u tregua i drejtpërdrejtë:

“Kërcënimet anti-semite që kanë në objektiv komunitetin tonë hebraik dhe qendrat komunitare, janë të tmerrshme dhe të dhimbshme.”

Shumë myslimanë amerikanë shpresojnë tashmë që Presidenti të veprojë në mënyrë të ngjashme për të trajtuar shqetësimet për incidentet në rritje anti-myslimane në mbarë vendin. Por, ata nuk janë optimistë.

“Presidenti ka qenë i heshtur dhe që nga zgjedhjet ka patur një seri krimesh urrejtjeje ndaj minoriteteve fetare, etnike dhe racore, që u tregojnë njerëzve se duhet bërë më shumë”, thotë Corey Saylor, i Këshillit mbi Marrëdhëniet Myslimano-Amerikane.

Zoti Saylor thotë se fjalët duhet të shoqërohen edhe me gjeste, si p.sh. kur Nënpresidenti amerikan Mike Pence ndihmoi në pastrimin e një varreze hebraike që ishte përdhosur në Mizuri.

“Nuk ka vend në Amerikë për urrejtje, akte paragjykimi, dhune apo anti-semitizmi”, deklaroi Nënpresidenti Pence.

Pjesë e këtij pesimizmi, në veçanti nga myslimanët, lidhet me deklaratat publike të Presidentit dhe disa këshilltarëve të tij, të cilët e kanë ravijëzuar luftën kundër terrorizmit në terma fetarë, përfshirë një propozim fushate i zotit Trump për të mbajtur myslimanët jashtë vendit.

“Donald Trump kërkon një mbyllje totale dhe të plotë për myslimanët që hyjnë në SHBA, derisa përfaqësuesit e vendit tonë të gjejnë se ç’po ndodh”, pati deklaruar ai gjatë fushatës.

Megjithëse zoti Trump është tërhequr prej asaj deklarate, ajo vazhdon të ndodhet në faqen e tij në internet.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk e pranojnë se këto komente reflektojnë paragjykim ndaj myslimanëve. Zëdhënësi Michael Short i tha Zërit të Amerikës se “të pranosh ekzistencën e rrezikut nga terrorizmi radikal islamik, nuk të bën anti-mysliman”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat