SHBA, Prokurori i Përgjithshëm dhe Rusia

Amerika

SHBA, Prokurori i Përgjithshëm dhe Rusia

Më: 2 mars 2017 Në ora: 15:09
Jeff Sessions

Demokratët në Kongresin amerikan i bënë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions ta përjashtojë veten nga një hetim lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Thirrja vjen pas njoftimeve se zoti Sessions ishte takuar vitin e kaluar me ambasadorin rus në Uashington.

Ndërkohë që ishte anëtar i senatit, Jeff Sessions mbështeti kandidaturën e zotit Trump për president dhe u bë këshilltar i fushatës së tij.

Pasi u emërua si kandidat për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë, zoti Sessions u pyet në seancën e konfirmimit në muajin janar se çfarë do të bënte nëse provohej se dikush nga fushata e zotit Trump kishte qenë në kontakt me Rusinë.

"Nuk kam dhe nuk kam pasur komunikime me rusët," u përgjigj ai.

Në fakt, zoti Sessions kishte takuar ambasadorin rus Sergei Kislyak në muajin korrik gjatë Kuvendit Kombëtar Republikan. Në shtator, e kishte takuar përsëri në zyrën e tij në Kongres.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Sarah Isgur Flores, tha se nuk kishte asnjë gënjeshtër në deklaratën e bërë nga zoti Sessions gjatë seancave të konfirmimit.

Prokurori i përgjithshëm bëri më pas një deklaratë ku thoshte se "kurrë nuk ishte takuar me ndonjë zyrtar rus për të diskutuar mbi çështjet e fushatës."

Senatori Al Franken, i cili e pyeti zotin Sessions për Rusinë gjatë konfirmimit, ishte ndër demokratët të cilët thanë mbrëmë se prokurori i përgjithshëm nuk duhet të përfshihet në asnjë hetim për çështjet e ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Udhëheqësja e pakicës demokrate Nancy Pelosi dhe senatorja demokrate Elizabeth Warren shkuan një hap më tej, duke kërkuar dorëheqjen e zotit Sessions.

Byroja Federale e Hetimeve, që është pjesë e Departamentit të Drejtësisë, po heton rreth aktiviteteve të Rusisë, që synonin të krijonin çrregullime në zgjedhjet amerikane. Ajo po heton gjithashtu rreth çdo lidhjeje të mundshme mes fushatës së zotit Trump dhe qeverisë së presidentit rus Vladimir Putin.

Komisioni i Senatit për inteligjencën po kryen hetimin e tij, ndërsa komisioni homolog i Dhomës së Përfaqësuesve njoftoi dje kriteret mbi të cilat do të fillonte edhe ai hetimet./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat