Session, demokratët kërkojnë dorëheqjen, Trump e mbështet

Amerika

Session, demokratët kërkojnë dorëheqjen, Trump e mbështet

Më: 3 mars 2017 Në ora: 12:53
Prokurori Përgjithshëm Jeff Sessions

Demokratët përshkallëzojnë sulmet ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, duke i cilësuar jo të besueshme shpjegimet e tij lidhur me kontaktet që ai kishte patur me ambasadorin rus në 2016-n.

Liderja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi këmbëngul që Sessions të dorëhiqet, por për Presidentin Donald Trump ai është një njeri i ndershëm dhe akuzat e demokratëve i quan një “gjueti shtrigash”.

Përballë presioneve në rritje, Prokurori i Përgjithshëm u terhoq nga një hetim i FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, por pohoi se nuk kishte gënjyer gjatë seancës së konfirmimit në muajin janar në Senat, kur kishte thënë se nuk kishte patur komunikime me rusët. Edhe pse ishte takuar me ambasadorin Sergei Kislyak, Sessions pretendon se nuk kishte zhvilluar ndonjë bisedë politike me të. 

Adam Schiff, zyrtari më i lartë demokrat në Komitetin e Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesëve, deklaroi se prokurori kishte gënjyer haptazi Senatin dhe shpjegimi i tij ishte thjesht jo i besueshëm.

Edhe në radhët e republikanëve në Kongres ka nga ata që kërkojnë largimin e Sessions. Megjithatë, eksponentët e lartë të partisë janë pozicionuar krah tij dhe po u rezistojnë kërkesave për emërimin e një prokurori të pavarur. 

Ndërkaq, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, që ka preferuar të mbetet anonim, tha te enjten së dhëndërri i Trump, Jared Kushner dhe ish-këshilltari i Sigurisë, Michael Flynn ishin takuar me ambasadorin rus në SHBA në muajin dhjetor, pas zgjedhjeve të 8 nëntorit. 

Flynn u shkarkua muajin e kaluar pasi keqinformoi Shtëpinë e Bardhë për bisedat e tij me diplomatin rus. Pretendimet për ndërhyrjen e Kremlinit në zgjedhje e kanë zemëruar Presidentin amerikan, i cili në një seri postimesh në rrjetin social Tëitter mbrojti Sessions, edhe pse e pranon se Prokurori i Përgjithshëm mund t’u ishte përgjigjur në mënyrë më të kujdesshme pyetjeve në Senat, por sjellja e tij nuk kishte qenë e qëllimshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat